Kombëtarja e Kosovës do të luajë dy ndeshje në muajin nëntor, fillimisht ndaj Rumanisë në udhëtim me 15 nëntor dhe pastaj ndaj Lituanisë me 18 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Rumania ndodhet në vendin e parë në grupin e Ligës së Kombeve me 12 pikë – teksa Kosova në vendin e dytë me 9 pikë pas katër xhirosh.
Trajneri i Kosovës, Franco Foda ka publikuar listën e lojtarëve të ftuar për këto dy ballafaqime, por ende pa u grumbulluar mirë ka pasur ndryshime, sepse pesë futbollistë janë tërhekur nga lista, shkaku i lëndimeve. Në këtë grumbullim do të mungojnë Milot Rashica, Ermal Krasniqi, Emir Sahiti, Bersant Celina dhe Leart Paqarada. Art Smakaj dhe Zymer Bytyqi janë ftuar nga lista rezervë, ndërsa për herë të parë në kombëtare janë përfshirë edhe dy lojtarë të rinj, Leard Sadriu dhe Baton Zabërgja.
Cila është forma e lojtarëve tanë para këtyre dy dueleve, duke cilësuar paraqitjet e tyre me ekipe që pas grumbullimit të fundit me Kosovën?
Portierët: Aro Muric, Amir Saipi dhe Visar Bekaj.
Aro Muric
Arijanet Muric ka luajtur në të gjitha ndeshjet e Ispwich Town në Premierligë dhe forma e tij është mbresëlënëse. Ai dje ishte vendimtar në fitoren ndaj Tottenhamit, ku bëri disa pritje fenomenale dhe ndihmoi ekipin e tij të arrijë fitoren e parë në kampionatin anglez. Ai u vlerësua si më i miri i ndeshjes nga “SofaScore”. Muric poashtu u paraqit edhe ndaj Southampton, West Ham United dhe Aston Villas.
Amir Saipi
Saipi ka luajtur poashtu në të gjitha takimet me ekipin e tij, Lugano. Ai u paraqit në 5 takime në Superligën e Zvicrës dhe 2 në Conference League. Në Conference League, ai e mbajti portën e paprekur ndaj Mlada Boleslav me 24 tetor, teksa ishte më i miri në ballafaqim. Poashtu paraqitje të mira kishte edhe në ndeshjen ndaj Young Boys me 27 tetor, ku poashtu mbajti portën e paprekur. Paraqitje e tij e dobët ishte ndaj TSC në Conference League, ku pranoi 4 gola.
Visar Bekaj: Nuk ka paraqitje me klubin e tij, Hatayspor!
Mbrojtësit
Mërgim Vojvoda
Nga 5 ndeshjet e mundshme, Vojvoda luajti në 4 ndeshje me Torinon si titullar gjatë kësaj periudhe. Ai vlerësohet mesatarisht me notën 6.8 për ndeshje.
Florent Hadërgjonaj
Mbrojtësi ‘dardan’ poashtu është në formë dhe ka minutazh në ekipin e tij. Ai ka luajtur në tri ndeshjet e mundshme me Alanyaspor. Në të gjitha duelet ai luajti për 90 minutat.
Amir Rrahmani
Kapiteni vjen në top formë tek kombëtarja e Kosovës. Ai dje ishte më i miri në super derbin italian, Inter – Napoli, ku arriti të neutralizonte perfekt dyshen Lautaro-Thuram. Rrahmani asistoi, teksa pas ndeshjes u shpall më i miri nga Serie A. Rrahmani ka luajtur në pesë ndeshje dhe në të gjithat si starutes, për 90 minuta.
Ilir Krasniqi
Në të gjitha ndeshjet startues tek ekipi ukrainas, Kolos Kovalivka. Katër ndeshje, katër duele me nga 90 minuta në këmbë. Vjen tek Kosova me minutazh maksimal nga ekipi i tij.
Lumbardh Dellova
Si gjithmonë në formë, i qetë dhe stabil. Edhe në këto dy ndeshje pritet aktivizimi i tij nga minuta e parë. Në Bullgari, me ekipin e tij, CSKA Sofia, Lumbardh Dellova është titullar i padiskutueshëm. Pesë duele nga ana e tij, të gjitha si titullar dhe me nga 90 minuta në këmbë për secilin duel. Forma e tij, e paluhatshme, garanci për Fodan e “Dardanët”.
Fidan Aliti
31 vjeçari është poashtu startues në ekipin e tij në Turqi, tek Alanyaspor. Në ndeshjen e fundit, Aliti kishte paraqitje të mirë ndaj Bodrumspor.
Donat Rrudhani
Jo gjithmonë startues, por ka minutazh dhe luan mirë kur i jepet mundësia. Me Luzernin, ai ishte startues dje ndaj Sionit në humbjen 4-2, ku luajti për 90 minuta. Një javë më parë ishte fantastik ndaj Grasshopers, ku luajti 30 minuta dhe realizoi golin e fitores 1-0. Ndaj Servettes poashtu luajti 75 minuta, teksa ndaj Yverdon luajti 90 minuta.
Andi Hoti
S’ka minutazh. Ka luajtur në ekipin senior të Magderburg veç 50 minuta në katër duelet e fundit në Bundesliga 2.
Mesfushorë / Sulmues
Valon Berisha
Ka luajtur 7 ndeshje me LASK në të gjitha garat, në kampionatin austriak, kupë dhe Conference League. 90 minuta ka vetëm në ndeshjen ndaj Cercle Brugge në Conference League. Ai poashtu ka shënuar veç 1 gol ndaj Tirol dhe një asistim në Kupën e Austrisë.
Elvis Rexhbeçaj
Ka lujtur katër nga pesë ndeshjet e mundshme në Bundesliga. Ndaj Hoffenheim këtë vikend mungoi shkaku i kartonëve të verdhë. Startues i padiskutueshëm tek Augsburg.
Lindon Emërllahu.
Paraqitje të mira me Ballkanin, gjithmonë startues, padyshim lojtari i duhur i ftuar nga Superliga e Kosovës. E ardhmja e mesfushës.
Florent Muslija
Nga pesë ndeshje të mundshe, ka luajtur vetëm në tri duele. Në dy takime s’u aktivizua fare, teksa në ndeshjen e fundit luajti veç një minut. Ndaj Leipzig luajti veç 23 minuta, kurse ndaj Ausgurg veç 26 minuta.
Muharrem Jashari
Startues tek klubi ukrainas, LNZ Cherkasy. Në 5 ndeshjet e fundit, ai është paraqitur në të gjitha. S’ka asistime, apo gola.
Baton Zabërgja
Senzacioni i Kategorisë Superiore në Shqipëri. I ringjallur pas ardhjes së Ilir Dajës në pankinë tek Dinamo Tirana. 6 gola dhe 2 asistime këtë sezon, ftesa e tij e mirëseardhur, pasi ka minuta të plota dhe formë të mirë.
Edon Zhegrova
Padyshim lojtari më në formë i Kosovës, po shkëlqen në çdo paraqitje, si në Francë ashtu edhe në Champions League. Realizoi ndaj Atletico Madrid si mysafir, e asistoi ndaj Juventusit. Titullar i padiskutueshëm në 6 ndeshje.
Albion Rrahmani
Totalisht jashtë formës tek Sparta Praga. Në pesë ndeshje ka shënuar një gol. Dy ndeshjet e fundit s’ka pasur as goditje në portë. Në ndeshjen e fundit në Çeki u la në bankinë – teksa luajti veç 20 minuta. Në Champions ndaj Brest luajti 64 minuta. Golin e vetëm në këto ballafaqime e realizoi në kupë ndaj Brno.
Fisnik Asllani
Në top formë në Bundesliga 2 tek Hoffenheim. Gol e asistim në vikend ndaj Elversberg. Dy gola poashtu realizoi ndaj Hamburg.
Vedat Muriqi
Pas rikthimit nga lëndimi, luajti në 4 ndeshje, në tri si titullar. Ai realizoi menjëherë në rikthim me 20 tetor ndaj Vallecanos.
Lista e zgjeruar, ftesat pas lëndimeve:
Art Smakaj
Nga katër ndeshjet e mundshme me Lokomotiva Zagreb, ka luajtur në tri duele. Ai madje dje realizoi gol e asistoi ndaj Sibenik. 65 minuta i pati ndaj Hajdul Split, e 87 ndaj Rijekas.
Leard Sadriu
Titullar i padiskutueshëm tek Mura në Slloveni. Ka luajtur në 4 ndeshjet nga 90 minuta.
Zymer Bytyqi
Nuk është lojtar që luan 90 minuta tek CSKA Sofia, por ka minutat e tij dhe i shfrytëzon. Gol e 2 asistime për të në 3 ndeshjet e fundit.
/GazetaBlic Sport