Lajme

Analisti tregon pse u ‘zbut’ Kurti për hapjen e urës – thotë se përplasja e tij dhe Osmanit është politike

09/22/2024 18:14
nga:G B

Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, ka thënë se çështja e urës së Ibrit e veriu janë çështje të popullizmit që VV i ka përdorur që nga dita e parë në pushtet.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se Kurti u “zbut” për hapjen e urës pas vizitës së shefit të CIA-s në, duke shtuar se nuk beson që ura do të hapet së shpejti.

“Këto çështjet e popullizmit VV i ka përdorur që nga dita e parë në pushtet, kështu që çështja e veriut, urës e disa çështje tjera po konsiderohen si fitore të mëdha dhe mund të përdoren për zgjedhje, njëkohësisht çështja e urës që u bë temë diskutimi gjatë verës kur mërgimtarët gjendeshin në Kosovë, normalisht që kishte dozë të lartë të popullizmit dhe tani jemi në një situatë ku ura nuk po hapet përkundër premtimeve të mëdha që janë dhënë qoftë nga kryeministri apo eksponentë të VV-së, me gjasë pas vizitës së shefit të CIA-s në Kosovë, çështja e urës ka marrë një epilog që tashmë kryeministri është zbutur nga deklarimet e tij, duke thënë tani se ura duhet të hapet por duhet pritur përgjigje ndërkombëtare, me gjasë do të jetë vetëm çështje diskutimi por nuk besoj që do të hapet së shpejti”, vlerëson analisti.

Ndërsa, sa i përket kritikave të presidentes Osmani së fundi ndaj Qeverisë e ambasadorit Berishaj, Demhasaj vlerëson se e gjitha është përplasje politike në mes të Kurtit e Osmanit dhe s’ka asgjë parimore në deklarimet e tyre.

“Për çështjen e ambasadorit Martin Berishaj, presidentja fillimisht ka dalë dhe e ka mbrojtur dhe tani po thotë që ai është dashur të tërhiqet, nëse është dashur të tërhiqet atëherë ti je presidente dhe ke mundur ta kërkosh dorëheqjen e tij por nuk e ke kërkuar, kështu që kjo përplasja e tanishme në mes të Kurtit e Osmanit është më shumë përplasje politike, përplasje për interesa personale për shkak se kryeministri Kurti më s’mund ta përdor zonjën Osmani në zgjedhje siç e ka përdorur në zgjedhjet e kaluara dhe anasjelltas, zonja Osmani e ka kuptuar se nuk mund ta marrë një mandat të dytë nga VV si presidente sepse nuk do t’ia japë, kështu që duke sulmuar pak kryeministrin apo VV-në mundohet ta sigurojë dhe një mandat si presidente përmes partive tjera opozitare. Kështu që kjo është luftë elektorale, luftë politike e të dyve, nuk ka asgjë parimore në mes të asaj çka deklaron as kryeministri e as presidentja”, deklaron Arton Demhasaj./Gazeta Blic/

 

Musliu-Shoshi: PDK do t’i fitojë zgjedhjet – qytetarët do ta ndëshkojnë Kurtin për dështimet