Lajme

Analisti serb: Anëtarësimi i Kosovës në KE është mundësi reale

05/14/2022 20:11
nga:Arsim Buxhovi

Mediat serbe po i kushtojnë hapësirë kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke potencuar se autoritetet në Prishtinë janë të bindura se shanset e tyre për t’iu bashkuar kësaj organizate ndërkombëtare janë të mëdha.

Sipas gazetës serbe “Nova” optimizmi i autoriteteve të Prishtinës më së shumti bazohet në faktin se dy të tretat e anëtarëve të Këshillit të Evropës e kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës, prandaj presin që vendet e përmendura t’i mbështesin kur anëtarësimi i tyre të jetë në agjendë.

Aplikimi i Kosovës në Këshill të Evropës ka nxitur reagime të ashpra në Serbi, ku zyrtarët e atjeshëm janë zotuar se do të punojnë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga shtete të ndryshme në botë. Por, drejtori i Qendrës për Rajonalizëm, Aleksandar Popov, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është shumë realist.

“Është një organizatë që funksionon në mënyrë të pavarur dhe nuk është pjesë e Bashkimit Evropian. Aty vendoset në bazë të shumicës se kush do të jetë anëtari i ardhshëm dhe është realiste që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës”, ​​thekson ai.

Analisti serb potencon se këtë çështje duhet parë në kontekstin e asaj që po ndodh aktualisht në Ukrainë.

I pyetur nëse refuzimi i Serbisë për t’iu bashkuar pjesës tjetër të Bashkimit Evropian në dënimin e agresionit rus rezultoi me presione, pas të cilave erdhi iniciativa nga Prishtina [për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës] Popov u përgjigj pozitivisht, duke theksuar se është e pamundur të jesh politikisht neutral në rrethana të tilla ndërkombëtare.

“Askush nuk na detyron të hyjmë në paktin e NATO-s, por nëse duam të anëtarësohemi në BE, atëherë duhet të rregullojmë politikën tonë të jashtme. Nga Serbia kërkohet të deklarohet nëse është pro sanksioneve kundër Rusisë, nëse nuk është, ajo në një farë mënyre nuk do të jetë nën presion, por do të jetë e harruar nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara”, tha Popov.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj.