Analisti politik Arbnor Sadiku ka komentuar deklaratën e deputetit të AAK-së, Bekë Berisha, i cili u shpreh se duhet t’i lëshohet rruga Lëvizjes Vetëvendosje për konstituimin e Kuvendit.
Sipas Sadikut, kjo deklaratë është e vonuar dhe nuk e prek thelbin e problemit aktual, që sipas tij ka të bëjë me: afatin e shkurtër për zgjedhjen e presidentit, rezultatin zgjedhor që nuk i përshtatet asnjë partie, dhe afrimin e zgjedhjeve lokale.
Sadiku vlerëson se zgjidhja e vetme në këtë situatë mosbesimi mes partive të mëdha është një marrëveshje politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare.
“Mendoj se është i vonuar dhe nuk e prek thelbin e problemit, i cili në fakt është:
Afati i shkurtër për zgjedhjen e presidentit/es së ri/re;
Rezultati zgjedhor, i cili nuk po i përshtatet plotësisht asnjë partie politike, e më së shumti Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kishte kërkuar 500,000 vota;
Zgjedhjet lokale që do të mbahen shumë shpejt.
Zgjidhja e vetme, siç duket në këtë gjendje mosbesimi ndërmjet partive të mëdha, është që subjektet politike të merren vesh për datën e zgjedhjeve të reja parlamentar”, tha Sadiku për GazetaBlic.


