Blerim Burjani ka deklaruar se nuk pret që në Kosovë të formohet ndonjë qeveri e re me karakter të përkohshëm, kalimtar apo të gjerë.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk po tregon asnjë sinjal që çon drejt krijimit të një ekzekutivi të tillë, ndërsa partitë opozitare po përgatiten seriozisht për zgjedhje, e jo për ndonjë marrëveshje për qeveri të re.
Burjani theksoi se edhe VV-ja, edhe presidentja, janë të vetëdijshme se vetëm “ndonjë mrekulli në çastet e fundit” do ta bënte të mundur formimin e një qeverie. Në këto rrethana, siç u shpreh ai, situata është e qartë: vendi po shkon drejt zgjedhjeve.
“Jo, nuk kam mendim pozitiv se kjo do të ndodhë. VV nuk ka lëvizje që premtojnë se do të themelohet ndonjë lloj qeverie me ndonjë emër, si e përkohshme apo kalimtare. Kur t’i analizojmë çështjet, partitë opozitare po bëhen seriozisht gati për zgjedhje, pra jo për ndonjë lloj qeverie me ndonjë emër tjetër të zgjeruar. Edhe VV, edhe presidentja, që në këtë çështje nuk dallojnë, e dinë se vetëm ndonjë mrekulli në çastet e fundit mund ta themelonte qeverinë”, tha Burjani për GazetaBlic.
Ai shtoi se vetëm një zhvillim i paparashikuar mund të sillte formimin e një qeverie me çfarëdo emërtimi të përkohshme, kalimtare apo të gjerë.


