Lajme

Analisti politik për takimin Kurti-Vuçiq: Nuk pres asgjë, topi është te Serbia

06/14/2021 15:54
nga:Q R

Analisti politik, Fitim Salihu, ka komentuar takimin e Kurtit dhe Vuçiq i cili do të realizohet nesër, më 15 qershor.

Salihu në një prononcim për GazetaBlic, ka thënë se nuk ka pritshmëri nga ky takim dhe se dy palët janë të barikaduara pas pozicionesh rigjide.

“Nuk pres asgjë të rëndësishme. Dy palët janë të barikaduara pas pozicionesh rigjide dhe nuk pres kompromise, së paku jo neser. Për më tepër që ky konflikt i ngrirë përfundon vetem me njohjen e Kosovës nga Serbia”, deklaron ai.

Sipas tij, përderisa presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, nuk është i gatshëm të njoh pavarësinë e Kosovës, nuk do të ketë zgjidhje të konfliktit.

“Për sa kohë që Vuçiqi nuk është i gatshëm për një hap të atillë, nuk ka zgjidhje të konfliktit. Topi është te Serbia. Kosova mjaft ka bërë kompromise dhe në fund nuk e ka fituar atë që e kërkon – njohjen e pavarësisë nga shteti serb”, thotë ai.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë të martën, më 15 qershor, njoftoi  zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Do të jetë ky takimi i parë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Procesi i bisedimeve ka ngecur vjeshtën e vitit të kaluar, kur pala serbe ka hapur çështjen e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

LEXO EDHE:

Lajmi i fundit: Shkarkohet Valdete Daka