Lajme

Analisti politik për punësimet familjare e partiake të VV-së: Është skandaloze dhe e papranueshme

04/05/2022 13:25
nga:Donika Fetahu

Analisti politik Arton Demhasaj, ka folur për Gazeta Blic lidhur me punësimet familjare e partiake nga LVV në KEK, për të cilat u raportua së fundi.

Ai u shpreh se një gjë e tillë është skandaloze dhe nëse LVV-ja do të fillojë të veprojë njëjtë sikur partitë e tjera, atëherë nuk do të ketë ndryshim në qeverisje, pasi që kur Vetëvendosja ka qenë në opozitë vazhdimisht ka kritikuar pozitën për punësime familjare e partiake.

“Mendoj se një gjë e tillë është skandaloze, e papranueshme. Për faktin se gjatë kohës kur Vetëvendosja ka qenë në opozitë, e ka kritiku vazhdimisht pozitën për punësime partiake e njëkohësisht familjare. Nëse flasim tash kur janë në pushtet dhe nëse fillojnë me vepru njëjtë sikur partitë e tjera, atëherë nuk do të ketë ndonjë ndryshim substancial në qeverisje, por vetëm është ndryshu ngjyra e punësimeve dhe fenomeni është i njëjtë”, tha Demhasaj.

Ndër të tjera, ai komentoi edhe heshtjen e opozitës lidhur me këtë çështje, ku sipas tij ky mosreagim është rezultat pasi që në kohën kur kanë qenë në pushtet kanë vepruar njëjtë, duke punësuar familjarë e anëtarë të partive të tyre politike.

“Sa i përket mosreagimit të partive opozitare lidhur për një gjë të tillë, është për faktin se në kohën kur kanë qenë në pushtet partitë që momentalisht janë në opozitë, kanë vepruar pak a shumë njëjtë vetë duke punësuar familjarë e anëtarë të partive të tyre politike, kjo mund të konsiderohet si një zbehje e argumentit të tyre për me reagu për diçka që e kanë bërë vetë”, shtoi analisti.

 

 

Reagon KEK-u, pasi u raportua për punësim masiv të militantëve të VV’së