Lajme

Analisti politik: Kurti s’merret me ata që largohen – Rëndësi kanë masa dhe votat

08/29/2025 15:40
nga:N K

Analisti politik, Blerim Burjani, ka komentuar dorëheqjen e ish-ministrit, Liburn Aliu nga detyra e Ministrit të Infrastrukturës, duke e cilësuar atë si rezultat i pakënaqësive të vazhdueshme në kryesinë e kësaj partie dhe në menyrën se si vendimet brenda së njejtës parti menaxhohen.

Burjani, për Gazeta Blic tha se ish-minstri Aliu nuk ka parë më mundësi për të vazhduar brenda subjektit politik ku edhe ishte një nga themeluesit, prandaj sipas tij, tash i mbetet të vendosë për të ardhmen- nëse do të vazhdojë me politikën apo do e vazhdojë jeten si qytetar i zakonshëm.

“Edhe në Vetëvendosje, ashtu si në partitë e tjera politike, nëse largohesh ose të largojnë, duhet të mendosh më tutje se çka do të bësh. A do të mbetesh në lojë apo jo? Kush del nga partitë lideriste, zakonisht humb ose dështon”, ka theksuar Burjani.

Analisti Burjani, ka perjashtuar mundësinë që të ketë dorëheqje të tjera të ngjashme, duke theksuar se Albin Kurti shihet si figura kryesore dhe vendimtare në Vetëvendosje, ndërsa anëtaret e tjerë brenda Lëvizjes trajtohen siq tha ai ‘njerëz pa peshë të madhe për elektoratin’.

Megjithatë, Burjani u shpreh se dorëheqja e Aliut nuk parashihet të ketë pasoja të gjera për Vetëvendosjen.

I njejti, për Gazeta Blic tha se Kurti nuk ka interes të ketë ‘dhimbje e gjynahe’ për dikë që u largua nga partia.

“Pasojat nuk menaxhohen nga Kurti, ai hesht para pasojave. Nuk ka interes si lider që ka votat të merret me dhimbje e gjynah se dikush ka shkuar nga partia. Për të me rëndësi është të mbajë votat dhe masën me vete. Në këto parti është e rëndësishme masa, por asnjëherë individi i partisë pa ndikim të konsiderueshëm në publik”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, analisti e përshkroi Vetëvendosjen si një lëvizje të ndërtuar rreth një individi dhe disa themeluesve, ku rregullat përcaktohen nga lideri, ndërsa ‘grupet e pakënaqura’ mbeten pa ndikim.

“Fatkeqësisht, VV është lëvizje e një njeriu me disa themelues, me të pakënaqur e me grupe anarkiste. Rregullat i vendos lideri-anarkist dhe gjithçka shkon në drejtimin që ai përcakton”, deklaroi Burjani. /GazetaBlic/