Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar sloganin e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se “mos lësho pe” është këshilla më e dëmshme dhe e rrezikshme që mund t’i jepet kosovarit aktualisht.
Sipas tij me këtë përçohet mesazhi se mos mëso kurrë e as mos përdor mendjen por beso verbërisht në atë që mendon se është e vërtetë.
“’Mos lësho pe’ është këshilla më e dëmshme dhe rrezikshme që mund t’i jepet kosovarit aktualisht. Mes rreshtave, kjo thirrje po i thotë.. mos mëso kurrë. Mos e përdor trurin. Mos e përdor mendjen kritike. Beso verbërisht në atë që mendon se është e vërtetë, pa e vënë kurrë në pikëpyetje. Në jetë duhet gjithmonë me ‘lëshu pel duke e përdor arsyen, logjikën dhe trurin tënd. Duke tregu maturi dhe kuptueshmëri. Duke reflektu, mësu dhe përmirësu veten vazhdimisht, që me u bë më i mirë si individ dhe si shoqëri”, ka shkruar Muharremi.
Muharremi vlerëson se slogani “mos lësho pe” shtyn votuesin drejt vetëshkatërrimit.
“Në njëfarë mënyre, slogani ‘mos lësho pe’ po e shtyn votuesin drejt vetëshkatërrimit. Nuk brengoset për mirëqenien dhe të ardhmen e tij. Po i thotë disi mos u bë i kuptueshëm. Mos logjiko e mos e përdor arsyen. Mos reflekto e mëso kurrë. Rri ashtu si je, arrogant. Stephen Haëking ka thënë se ‘Armiku më i madh i dijes nuk është injoranca, por iluzioni i dijes’. Kur mendon që vetëm ti din dhe vetëm ti ke të drejtë, aty i mbyll dyert e të kuptuarit dhe të dëgjuarit të tjerët. Pikërisht aty lind “mos lësho pe” ose unë e kam mirë, mos i dëgjo të tjerët e mos mendo. Në fund, ky slogan është ndër më të dobëtit, por edhe ndër më të rrezikshmit për shoqërinë kosovare. U kërkon njerëzve ta anulojnë trurin, arsyen dhe logjikën. Të mbesin naivë dhe injorantë. Të mos kërkojnë me mësu e me kuptu asgjë. ‘Mos lësho pe’ është kërkesë që Kosova të mbetet në kriza dhe e bllokuar. Me marrëdhënie të vështira me SHBA dhe BE, ku siguria kombëtare rrezikohet. Me vazhdu me pagu çmime të larta dhe me u varfëru çdo muaj e më shumë. Me vazhdu një model ekonomik që e shkatërron shoqërinë, përmes çmimeve të larta dhe importeve astronomike”, shkruan ndër të tjerash Muharremi.
Në fund ai shkruan se shoqëritë ecin përpara kur lëshojnë pe me arsye.
“Ti gjithsesi ‘ti lësho pe’ dhe bëhu i vetëdijshëm, bëhu vetja, përdore trurin tënd, jo të dikujt tjetër. Përdore arsyen dhe vepro ashtu që gjithmonë mëson dhe vepron, jo për të mirën e politikanëve, por për të mirën e fëmijëve dhe familjes. Për një të ardhme më të mirë, më normale, më të sigurt dhe në bashkëpunim me tjerët. Shoqëritë ecin përpara kur lëshojnë pe me arsye, jo kur anulojnë trurin”, përfundon shkrimin Muharremi.


