Sot në Kosovë për vizitë po qëndron Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.
Përpos tij, ishte paralajmëruar edhe vizita e këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, por që ai anuloi vizitën e tij, siç u raportua “për arsye familjare”.
Ndërsa, Escobar do të zhvillojë takime sot me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti.
Ndërsa, nesër në mëngjes do të takohet me liderët e partive opozitare.
Lidhur me vizitën e tij, për Gazeta Blic kanë dhënë mendimet e tyre analistët politikë.
Analisti politik, Shqiprim Pula, thotë se Escobar në çdo vizitë konfirmon vendosmërinë e SHBA-ve për dialogun, ndërsa tani kur situata është e tensionuar nga Serbia përmes grupeve kriminale në veri, ai do të ketë kërkesa specifike.
“I dërguari i ShBA-ve për dialogun Kosovë -Serbi, zotëri Gabriel Escobar, në secilën vizitë të tij, konfirmon vendosmërinë e shtetit mik e aleat të vendit tonë, lidhur me ecurinë e procesit të dialogut por së fundmi edhe mbi zhvillimet në veriun e Kosovës. Ngjarjet e ndodhura dhe vazhdimësia e kryeneqësisë së Beogradit zyrtar për të mbajt situatën e tensionuar përmes grupeve parashtetërore, natyrisht që, zotëri Escobar do të ketë kërkesa specifike dhe me prioritet në terren, në takimet me përfaqësuesit institucional të Kosovës e më pas edhe atyre të Serbisë”, thotë ai.
Sipas Pulës, përpos mbylljes së procesit me njohje, qëllim është dhe pranimi i realitetit, që të mos përsëriten veprimet e caktuara nga pala serbe.
“Përmbyllja e procesit të njohjes së statusit të ndërsjelltë, nuk është e as nuk ka qenë i vetmi qëllim, por, edhe bindshmëria dhe pajtueshmëria mbi realitetin, për të mos i ripërsëritur veprimet e caktuara nga pala serbe, për të ardhmen fqinjësore”, vlerëson analisti për Gazeta Blic.
Ai e sheh tronditës faktin që BE-ja ka thirrje kundër Kosovës.
“Ajo çfarë politikisht është tronditëse janë thirrjet dhe deklaratat e zyrtarëve të UE-së kundrejt institucioneve të Republikës së Kosovës, deklarata këto të cilat lëndojnë fuqinë institucionale e shtetërore karshi grupeve parashtetërore”, thekson Shqiprim Pula.
Ai shton se cenimi i sigurisë në veri nga grupet serbe, ka krijuar situatë delikate dhe sa më shumë që zgjatet, do të jetë më e dëmshme dhe sipas tij, porositë e Escobar do të jenë të lidhura me këtë çështje.
“Asnjë dilemë nuk ka, se tema mbi cenueshmërinë e sigurisë nga grupet e mirëorganizuara parashtetërore serbe, ka krijuar një situatë tejet delikate, sa për institucionet shtetërore të Kosovës po aq edhe për qytetarët atje. Andaj, çdo tejzgjatje e asaj gjendje në veriun e vendit, veçse dëmton përpjekjet e ShBA-ve për të arritur qëllimin e përmbylljes së temave të mbetura hapur. E të gjitha porositë do jenë të ndërlidhura me situatën e krijuar në veriun e vendit dhe mbarëvajtjen e temave për përmbyllje”, deklaron Pula për Gazeta Blic.
Ndërsa, analisti politik, Gazmir Raci, thotë se SHBA-të janë e do të jenë afër Kosovës edhe në sfida si këto, derisa Serbia po kërcënon hapur Kosovën.
“SHBA janë e do të jenë afër Kosovës edhe në këso sfida që i kemi tani sepse Serbia dje bëri kërcënim të hapur ndaj integritetit territorial të Kosovës”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Sipas tij, Kosova duhet ta fuqizojë partneritetin me SHBA-të, sidomos në fushën e sigurisë dhe të përshpejtohet rrugat drejt anëtarësimit në NATO.
“Kosova dhe SHBA-të duhet të fuqizojnë më tej partneritetin sidomos në fushën e sigurisë. Për Kosovën është me rëndësi që Ushtria jonë të rrisë kapacitetet ushtarake dhe të përshpejtohet rruga drejt anëtarësimit në NATO”, deklaron Gazmir Raci./Gazeta Blic/


