Njohësit e rrethanave politike në vend e vlerësojnë si veprim të mirë refuzimin që kryeministri Kurti i bëri propozimit të Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Sipas tyre, me këtë veprim Bashkimi Evropian do të kuptojë që marrëveshja finale në mes të dy shtetëve është e domosdoshme, shkruan Gazeta Blic.
Profesori Dritëro Arifi, e vlerëson si hap pozitiv këtë veprim të qeverisë. Derisa shprehet optimist se qeveria do t’i qëndrojë deri në fund këtij vendimi.
“Mendoj që qeveria e Kosovës ka bërë një potez të mirë, por është dashur pak më strategjik në kuptimin e asaj që të ketë kërkesa më shumë që mos të themi ne jo por ata le ta thojnë po ose jo, pala tjetër. Mendoj që ky vendim do ta vetëdijësoj pak politikën e Serbisë, sepse po flasim për një politikë jokonstruktive të Serbisë pas pavarësisë së Kosovës, po ashtu besoj që do ta vetëdijësoj edhe BE që ta kuptojë që marrëveshja finale është e domosdoshme që të mos kemi këso situata. Mendoj që qeveria do të qëndroj deri në fund sepse përndryshe do të ishe jo e kuptimt”, deklaron ai për Gazeta Blic.
Kurse, analisti politik Shemsi Jashari, thotë për ‘Gazeta Blic‘ se vendimi i Kurtit është i drejt dhe në pajtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Sipas tij, qeveria këtë vendim duhet ta zbatojë në tërësi dhe të mos zbrapset.
“Është një vendim i drejt, në pajtim me kushtetuten dhe ligjet e Kosovës sepse kishte edhe një rezolutë në kuvendin e Kosovës që obigonte qeverinë për të zbatuar kushtetutën për moslejimin e mbajtjës së këtyre zgjedhjeve. Ajo që kemi parë ne është një qëndrim i kujdesshëm i kryeministrit rreth kësaj teme, duke ofruar alternativa sipas ligjit për votimin e atyre që janë të interesuar të votojnë dhe kjo është diçka e mire. Mendoj se këtij qendrimi i ka ndihmuar edhe pozicionimi i Serbisë në raport me agresionin Rus në Ukraine, duke bërë që Kosova të mos ketë presion të madh nga ndërkombëtarët për lejimin e mbajtjës së këtyre zgjedhjeve edhe pse kishte një kërkesë nga shtetet e Quint-it për lejimin e tyre. Tashmë Qeveria e Kosovës këtë vendim duhet zbatuar në tërsi dhe asesi të mos ketë zbrapsje”, thotë Jashari.
Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e Serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.
“BE-ja ka vepruar si lehtësues, Përfaqësuesi i Lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. Kemi bërë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së duke pohuar se Serbia ka luajtur rol konstruktiv e Kosova ka refuzuar.
“Duke pranuar se Serbia ka qenë e hapur për gjetjen e zgjidhje ne shprehim keqardhje se konsensusi mes palëve në fund nuk u arrit pas vendimit të Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të Quint-it”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.Ai e ka quajtur këtë vendim të jetë “në kundërshtim me përkushtimet e Kosovës për rrugëtim evropian dhe të ardhme demokratike dhe kundër parimeve të mbrojtjes të së drejtës demokratike të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe të atyre që i takojnë popullatës jo shumicë”.“Tash ne presim nga Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet dhe retorika e cila mund të rris tensionet dhe po ashtu u bëjmë thirrje të dyja palëve të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociata në kuadër të dialogut” ka thënë, Stano.
Ai ka thënë se në këtë moment nuk është në gjendje të paralajmërojë ndonjë takim në kuadër të dialogut, porse janë duke punuar në atë drejtim.
“Po punojmë në atë drejtim dhe ftojmë të dyja palët të veprojnë me përgjegjësi në mënyrë që të jetë e mundur të organizohet një takim i tillë”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të hënën pas takimin me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Kurti u ka thënë ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë se “ne nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.
Ai është thënë të jetë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e vendeve të Kuintit në Kosovë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën, në një aktivitet parazgjedhor, se “Qeveria e Kurtit kërkon nga Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të lejohen zgjedhjet”, të cilat mbahen më 3 prill.
Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e 3 prillit, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse. (RFE)
BE: Kosova refuzoi propozimin e Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë


