Që në orët e hershme të mëngjesit, serbë të shumtë kanë nis protestën në komunat veriore.
Derisa ata ende po qëndrojnë para objekteve komunale, për sigurinë në këto komuna po përkujdeset KFOR-i dhe Policia e Kosovës.
Serbët herë kanë tentuar të futen në objekte por që nuk janë lejuar, ndërsa që kanë ngjyrosur veturat e Policisë dhe KFOR-it me simbole të tyre, përfshirë dhe veturat e mediave, të cilave u kanë shpërthyer dhe gomat.
Në protestë janë parë persona serbë të maskuar.
Në anën tjetër, në ora 09:00 të mëngjesit është mbajtur takimi i ambasadorit amerikan në Kosovës, Jeff Hovenier me kryetarët e komunave veriore, ku në takim ishin vetëm ata nga radhët e PDK-së, Ilir Peci kryetar i Zveçanit dhe Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin Potokut.
Në takim nuk ishin Erden Atiq, kryetar i Mitrovicës së Veriut dhe Lulëzim Hetemi, kryetar i Leposaviqit. Të dy këta gjenden në zyre, në të cilat kanë hyrë që në orën 06:00 të mëngjesit. Ata kanë njoftuar në Facebook, se kanë bërë kërkesë nga KOSTT dhe ZRRE që të kyçen dhe të paguajnë energjinë elektrike dhe po ashtu të njoftohen për borxhin që i kanë komunat që ata udhëheqin.
Lidhur me këtë, analisti politik, Halil Matoshi, thotë se pushteti sot ia ktheu shpinën SHBA-vë.
“Kjo d.m.th se partia në pushtet përfundimisht ia ka kthyer shpinën ShBA-së dhe po kërkon ta vë Perëndimin para aktit të kryer”, thotë ai për Gazeta Blic.
Sipas Matoshit, presidentja Osmani duhet t’i tregojë kombit se çka po ndodh me orientimin perëndimor të Kosovës.
“Presidentja e vendit sipas kompetencave të saj kushtetuese duhet t’i drejtohet kombit për t’i thënë se çka po ndodh me orientimin Perëndimor të Kosovës?” deklaron Halil Matoshi.
Ndërsa, analisti Gazmir Raci, thotë për Gazeta Blic se dhuna e serbëve ndaj mediave, policisë e KFOR-it në veri janë tendenca për destabilizim të veriut.
“Dhuna e sotme ndaj mediave në veri dhe vendosja e mbishkrimeve ruse që përdoren në luftën e Ukrainës “Z”, etj ne automjetet e policisë dhe ushtrisë amerikane janë tendenca për destabilizim të veriut nën kujdesin e Radojqiqit”, vlerëson ai.
Sipas Racit, kryetarët e komunave e kanë vendin në ato objekte dhe vendosja e flamujve në veri tregon se u vendos sovraniteti në veri.
“Është mirë që ka komunikim në mes të palëve por kryetarët e atyre komunave vendin e tyre të punës e kanë në objektet komunale dhe këtu nuk ka vend për kompromis. Vendosja e flamujve të Kosovës në veri tregon qartë se sovraniteti u vendos edhe mbi ato komuna e që ka munguar që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës”, deklaron Gazmir Raci./Gazeta Blic/


