Njohësit e çështjeve politike në Kosovë po deklarojnë njëzëri se Kosova nuk duhet të rikthehet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë, pa u sanksionuar kjo e fundit nga Bashkimi Evropian për sulmin terrorist të datës 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Analisti politik, Gazmir Raci, tha për “Gazeta Blic” se së pari duhet të ndëshkohet ashpër Serbia për këtë sulm terrosit pastaj të bëhet rikthimi në dialog.
Raci shtoi se rikthimi në dialog duhet të bëhet vetëm për të zbatu planin franko-gjerman.
“Jo nuk duhet të kthehemi, njëherë duhet të ndëshkohet Serbia ashpër nga ana e Bashkimit Evropian sepse edhe vetë BE-ja e ka deklaru të dielën në mbrëmje që atë ditë në Banjskë kishte sulm terrorist dhe kishte agresion. Natyrisht se sulmi terrorist dhe agresioni erdhi nga Serbia dhe Serbia duhet të ndëshkohet shpejt dhe qartë nga ana e Bashkimit Evropian dhe pastaj le të flasim për dialogun. Për mendimin tim në dialog duhet të rikthemi vetëm për të zbatu planin franko-gjermna dhe për asgjë tjetër” deklaroi Raci për “Gazeta Blic”.
Edhe politologu, Arbnor Sadiku, ndan të njëjtin mendim.
Sadiku tha për “Gazeta Blic” se pa u dorëzuar nga Serbia terroristët që organizuan sulmin e 24 shtatorit, Kosova nuk duhet të shkojë në dialog.
“Jo s’duhet të kthehet Kosova për momentin në dialog. Mendoj që së paku pa dorëzuar terroristet që e kanë organizuar sulmin terrorist në Kosoven Veriore, pranë organave te Policisë së Kosoves, vendi ynë nuk duhet jetë palë negociauese me Serbinë në Bruksel” deklaroi Sadiku për “Gazeta Blic”.
Me 24 shtator humbi jetën nga terroristët serbë në veri të vendit, polici nga Vushtrria, Afrim Bunjaku.
Vrasja e Bunjakut u shoqërua me një përplasje të armatosur ndërmjet Policisë dhe këtij grupi terrorist, ku u vranë tre prej tyre.
Ngjarja e 24 shtatorit solli reagimin e ashpër të Bashkësisë Ndërkombëtare të cilët e dënuan sulmin dhe kërkuan që palët të rikthehen në dialog.
Nga Bashkimi Evropian u tha ditë më parë se nëse shihet e arsyeshme, BE-ja, do të vendosë masa ndaj Serbisë, por që ende nuk ka asnjë vendim konkret.
“BE-ja ka një pozicion të qartë, masat e prezantuara ndaj Kosovës, në kundërpërgjigje të paaftësisë së një pale të binden pritshmërive për shtensionim. Kemi thënë që në fillim që BE-ja ishte e qartë që këto masa janë të përkohshme dhe ose mund të zvogëlohen, varësisht zhvillimeve, apo të rriten. Tashmë ato janë aplikuar ndaj Kosovës dhe BE-ja ka qenë e qartë që nëse 27 shtetet anëtare shohin ndonjë arsye ata gjithashtu do të vendosin masa edhe ndaj Serbisë”- deklaroi ditë më parë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, raporton Gazeta Blic.
Edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha sot nga Tirana se Bashkësia Ndërkombëtare duhet t’i vendosë sanksione Serbisë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në veri.
“Gjermania është një nga mbështetësit kryesorë të Kosovës. SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, shumë shtete të BE-së janë të shqetësuara për ngjarjet në Kosovë, sulmin në Veri, i cili po të mos ishte ndalur, sot do të kishim territor të pushtuar dhe biseda të tjera. Është e rëndësishme të kuptohet mesazhi dhe të merren të gjitha masat që një gjë e tillë të mos përsëritet as në Kosovë dhe as vendet e tjera që kanë probleme me Serbinë, e cila sillet si një mini Rusi e vogël dhe mendon se ato vende nuk kanë të drejtat e tyre”, u shpreh ajo raporton Gazeta Blic.
/Gazeta Blic/
Stano: Nëse shtetet e BE-së e shohin të arsyeshme, do të ketë masa edhe ndaj Serbisë
Lajçak paralajmëron heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës


