Kosova në parim ka pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e raporteve me Serbinë. Profesorët universitarë, këtë e shohin më shumë si një veprim strategjik të Qeverisë së Kosovës se sa një propozim që do të sillte marrëveshjen përfundimtare ndërmjet dy vendeve.
Konfirmim nga ana e Qeverisë së Kosovës, për pranimin e propozimit të asaj që njihet si plani franko-gjerman, profesorët universitarë, Gëzim Visoka e Abit Hoxha, në përgjithësi nuk e shohin si marrëveshje ideale. Sipas tyre, kjo është një marrëveshje që ndihmon në kapërcimin e ngërçit politik, i cili potencialisht mund të çojë në një marrëveshje më të mirë në të ardhmen.
Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, në një përgjigje më shkrim për Radio Kosovën thotë se lajmërimi i Qeverisë së Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së, aq sa duket si një veprim strategjik, është i imponuar nga rrethanat aktuale.
“Duket se nuk ka asnjë perspektivë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar në njohjen reciproke siç ishte parashikuar fillimisht. Kështu, propozimi bazë duket si e vetmja rrugë përpara për Kosovën për të shkarkuar presionin e BE-së dhe SHBA-së, si dhe për të kapërcyer ngërçin aktual me shpresën që kjo marrëveshje e përkohshme të hapë rrugën për konsolidimin e mëtejshëm të sovranitetit të Kosovës brenda dhe jashtë vendit,” thotë Visoka
Edhe Abit Hoxha, ligjërues universitar në Universitetin e Agder në Norvegji, e sheh si hap pozitiv këtë pranimin e këtij propozimi nga ana e Kosovës. Ai thotë se nuk pret ndryshime të shpejta, por që daljen nga statuskuo e sheh si pozitive.
“Qeveria e Kosovës më në fund ka filluar të kuptojë këtë lojën ndërkombëtare. Nuk besoj që do të ketë ndryshim të madh të politikave, menjëherë, por është mirë që ka lëvizje”, tha ai.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi të jashtëzakonshëm me qeverinë serbe, ka thënë se Serbia duhet të marrë pjesë në diskutime për planin franko-gjerman pasi përndryshe do të pësojë një humbje të plotë politike dhe ekonomike.
E pranimi i propozimit nga Qeveria e Kosovës mund të shihet edhe si një lëvizje strategjike e Kosovës e thotë profesor Gëzim Visoka.
“Kosova në të kaluarën ka pranuar marrëveshje jo ideale ndërsa Serbia vazhdimisht i ka refuzuar, gjë që ka sjellë pasoja të rënda për këtë të fundit. Historia mund të përsëritet sërish. Pranimi i propozimit aktual të BE-së nga Kosova ndoshta nuk do ta kënaqë Serbinë dhe ka gjasa që ta refuzojnë ose ta vonojnë atë, gjë që më pas do ta vendosë Kosovën në një pozitë më të mirë dhe do të shmangë marrjen e fajit dhe ekspozimin ndaj sanksioneve apo pasojave të ndryshme,” thotë ai
E profesori tjetër, Abit Hoxha, pranimin e këtij plani nga ana e Qeverisë së Kosovës e sheh si lëvizje të mirë politike, sepse kjo e hedh topin te fusha e kundërshtarit.
“Qeveria e Kosovës ka filluar ta marrë vesh këtë procesin që shpeshherë duhet pranuar diçka jo pse opsioni më i mirë, por për ta hedhur topin në fushën e kundërshtarit. Kjo lojë ndërmjet BE, Kosovës dhe Serbisë po luhet kështu. E shohim se të gjitha politikat që vijnë nga emisari Mirosllav Lajçak janë krejt në këtë kontekst”, theksoi ai.
Përfaqësues të SHBA-së dhe BE-së ka thënë se e mirëpresin vendimin e Kosovës për të pranuar në parimin Planin e BE-së për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, duke bërë thirrje për vazhdim të dialogut ndërmjet dy vendeve.


