Degradimi i fjalorit të deputetëve të Kosovës po thyen të gjitha rregullat e paraqitjes publike si dhe dëmton rënd imazhin e Kosovës thonë njohësit e çështjeve politike, shkruan Gazeta Blic.
Debati i ashpër, degradues e ofendues vazhdon të jetë prezent në pothuajse çdo seancë të Kuvendit të Kosovës dhe jo vetëm.
Rasti i fundit ishte dje në mbjedhjen e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, kur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu e ka gjuajtur me ujë dhe ka bërë ofendime të rënda në drejtim të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
Profesori i marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë për ‘Gazeta Blic’, se gjuha jokorrekte e parlamentarëve e dëmton imazhin e Kosovës. Sipas tij, kjo mënyrë e shprehjes është mungesë e argumenteve, andaj duhet të marr fund.
“Gjuha jokorrekte e parlamentarëve të Kosovës po i tejkalon suazat e etikës politike, e cila është për fat të keq një sjellje jo e mirë. Çdo sjellje jashtë etikes politike e dëmton imazhin e atyre si persona, institucionit që përfaqësojnë, por edhe imazhin e Kosovës. Andaj kjo mënyrë e formës së shprehjes është edhe mungesë e argumenteve andaj duhet të marr fund. Ne duhet të jemi shembulli më i mirë i Ballkanit Perendimor dhe jo të jemi e kundërta”, thotë Arifi.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari, vlerëson se gjuha e përdorur nga deputetët e Kosovës është për keqardhje. Por, sipas tij, kjo gjuhë dhe ky lloj degradimi ka filluar me hyrjen e LVV-së në institucione.
“Gjuha e përdorur në senacat e kuvendit dhe në komisionet parlamentare, është për keqardhje tash e sa vite. Është joetike të ndëgjojmë një fjalor të ndytë e akuza banale nga të zgjedhurit e popullit. Do të duhej të vendosej një standard përmes një udhëzimi apo kodi etik që detyron të zgjedhurit e popullit të zgjedhin fjalët në publik dhe brenda institucioneve. Kjo gjuhë dhe ky lloj i degradimit ka filluar me hyrjen e LVV-së në institucione , ku kemi parë skena të dhimbshme,fyrje,sharje,banalitete, deri te sulmet fizike” thotë Jashari për ‘Gazeta Blic’
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e ka gjuajtur me ujë ministrin e Bujqësisë, Faton Peci.
Musliu po ashtu ka bërë ofendime të rënda në drejtim të ministrit Peci.
“Ti je rrugaç, rrugaç”, thotë Musliu derisa e gjuan me ujë ministrin.
Pas kësaj, ka reaguar ministri Peci, i cili ka deklaruar se sa të jetë ai ministër askush nuk do të mund të vjedh në Ministrinë e Bujqësisë.
“Nuk ka me vjedh askush sa të jam unë ministër. Ndaq gjuni me ujë, ndaq me plumba qysh keni gjujtë në të kaluarën, nuk ka birë nane që e ndal Faton Pecin. Sa të jem unë, nuk munden me vjedh dostat e Ganes”, deklaroi ai.
E gjithë kjo situatë ka ndodhur dje gjatë raportimit të ministrit në mbledhjen e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.
Video nga momenti i përplasjes:
Eskalon debati mes Ministrit Peci dhe deputetes së PDK-së: Ganimete Musliu e gjuan me ujë
Eskalon mbledhja: Ganimete Musliu e gjuan me ujë ministrin Peci