Lajme

Analistët: Escobar e Lajçak vijnë për marrëveshje para 1 shtatorit

08/23/2022 08:28
nga:G B

Njohësit e rrethanave politike në vend e shohin si përpjekje për arritjen e një marrëveshje para 1 shtatorit vizitën e  përfaqësuesit të veçantë të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajҫak, si dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Prishtinë e Beograd. Sipas tyre, Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë zgjidhje para kësaj date, në mënyrë që zbatimi i vendimit  për reciprocitet, të mos përcillet me trazira.

Vizita e paralajmëruar e përfaqësuesit të veçantë të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajҫak dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Prishtinë e Beograd, nga njohës të çështjeve politike po konsiderohet si përpjekje  për arritjen e një marrëveshjeje para 1 shtatorit. Profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, ka thënë për Radio Kosovën se SHBA-ja dhe BE-ja po bëjnë përpjekje që Kosova dhe Serbia të mundë të arrijnë marrëveshje, në mënyrë që zbatimi i vendimit për reciprocitet të mos  përcillet me trazira në veri te vendit.

“Patjetër që kjo vizitë është trysni ndaj palëve, sepse nëse nuk arrihet marrëveshje deri në shtator, atëherë ose Qeveria e Kosovës do të poshtërohet e ta shtyjë një afat tjetër, ose do të këtë një ndeshje ndërmjet Policisë së Kosovës dhe bandave të presidentit Vuçiq në veri të Kosovës”, ka theksuar për Radio Kosovën, Nexhmedin Spahiu.

Ndërkaq, Gurakuq Kuqi ka thënë për Radio Kosovën se Lajçak dhe Escobar janë të përkushtuar që para 1 shtatorit palët duhet të merren vesh të paktën për targa dhe letërnjoftim, sepse ndryshe mund të këtë përkeqësim të dialogut.

“Lajçak dhe Escobar e dinë se duhet të dalë diçka nga ky proces para 1 shtatorit, sepse nëse ne shkojmë në 1 shtator dhe fillon zbatimi i reciprocitetit ashtu siç është zotuar Qeveria, atëherë mund të kemi përkeqësim të dialogut”, ka thënë Kuqi.

Vizita e zyrtarëve të lartë evropianë dhe amerikanë vjen pas dështimit të bisedave të javës së kaluar në nivel të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb, ku palët nuk ia dolën të dakordohen në lidhje me zgjidhjen e cila do evitonte eskalimin e situatës në veri në fund. Siç merret vesh, Lajҫak dhe Escobar do tentojnë përafrimin e qëndrimeve të palëve, në mënyrë që zgjidhja të gjendet më së largu me 31 gusht.