Një numër më i madh amerikanësh po vaksinohen kundër COVID-19, megjithatë virusi vazhdon të përhapet.
Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë të enjten se në Shtetet e Bashkuara janë bërë 365 milionë e 767 mijë e 674 doza të vaksinës kundër COVID-19. Po sipas këtij institucioni, 202 milionë e 961 mijë e 676 vetë kanë bërë të paktën një dozë dhe 172 milionë e 171 mijë e 9 persona janë plotësisht të imunizuar.
Të dhënat e grumbulluara deri të enjten treguan se 61.1% e popullsisë kishte bërë të paktën një dozë të vaksinës, ndërsa 51.9% janë të vaksinuar plotësisht; 71.5% e banorëve të Shteteve të Bashkuara nga 12 vjeç e sipër kanë bërë të paktën një dozë, ndërsa 60.7% janë plotësisht të vaksinuar. Midis të rriturve 18 vjeç e sipër, 73.5% kishin bërë një dozë, ndërsa 62.8% janë plotësisht të imunizuar.
Në SHBA, personat mbi 65 vjeç përfaqësojnë grupmoshën me ritmet më të larta të vaksinimit, ku 91.7% kanë bërë të paktën një doze, ndërsa 81.4% janë plotësisht të vaksinuar. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftojnë se në total në mbarë vendin janë shpërndarë 434 milionë 582 mijë e 185 doza.
Megjithë këto ritme vaksinimi, disa shtete amerikane po raportojnë shifra rekord të numrit të pacientëve me COVID-19 në spitale krahasuar me çdo periudhë tjetër gjatë pandemisë. Teksasi dhe Kentaki i shtohen shteteve me ritme problematike të përhapjes së infeksionit.
Arkansasi, Florida, Luiziana, Havai, Misisipi dhe Oregoni kanë raportuar shifra rekord të pacientëve të shtruar në spitale për shkak të COVID-19.