Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka konfirmuar për Klan Kosovën se po diskuton me qeverinë e Kosovës lidhur me mundësinë e asistimit të Kosovës në ndihmën ndaj afganëve.
“Po, mund ta konfirmojmë që qeveria e Shteteve të Bashkuara është në diskutime me qeverinë e Kosovës për atë se si Kosova mund t’i asistojë partnerët amerikanë në Afganistan”, është përgjigjur Ambasada e SHBA-ve për Klankosova.tv.
“Nuk kemi detaje të mëtutjeshme për t’ju dhënë për momentin. Kur t’i kemi, do t’ju njoftojmë”.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë që e ka dhënë pëlqimin e saj që Kosova t’i ndihmojë qytetarët afganë për tri arsye.
“Pa asnjë hezitim apo kushtëzim të vetëm, kam dhënë pëlqimin tim për një operacion të tillë humanitar, duke u nisur së pari nga parimi njerëzor se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë; së dyti, për shkak se si anëtare e denjë e komunitetit të shteteve të lira, Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve; dhe e treta, për shkak se ne duhet t’u qëndrojmë miqve tanë, e sidomos Shteteve të Bashkuara në krah, ashtu siç na qëndruan ata neve në të mirë e në të keq”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në Facebook.
Osmani ka thënë që qeveria e Kosovës, pas kërkesës së asaj amerikane, ka formuar grup punues lidhur me këtë çështje, teksa ka shtuar që qytetarët afganë do të qëndrojnë vetëm përkohësisht në Kosovë para se të emigrojnë në Amerikë.
“Qytetarët afganë do ta kenë të kryer të gjithë vlerësimin e sigurisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, sepse ata edhe ashtu do të qëndrojnë vetëm përkohësisht në Kosovë deri sa të rregullohet dokumentacioni i tyre për vizat e emigrimit për në SHBA ku do të vendosen pastaj”.
“Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, ka formuar grupin punues që merret me çështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë. Ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfidenciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë nga Afganistani. Si të tillë, ne e kemi respektuar këtë kërkesë, por punën nuk e kemi ndalur”.
Sot më herët për Klanin ishte shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi, ai i cili e kishte konfirmuar këtë diskutim për mëse një muaj për ndihmën që
“Që nga mesi i korrikut jemi në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet shtetërore dhe ushtarake amerikane për këtë çështje të dhimbshme e të ndjeshme. Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. ShBA-të janë aleati ynë kryesor dhe partneri ynë strategjik. Gjithçka do të përmbyllet mirë”, ka thënë shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi.
Osmani konfirmon se Kosova i ka dhënë përgjigje pozitive kërkesës amerikane për strehimin e afganëve


