Lajme

Ambasadori kinez në Serbi: Çështja e Kosovës të zgjidhet pa standarde të dyfishta

02/05/2024 11:03
nga:G B

Ambasadori kinez në Beograd, Li Ming tha se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet pa standarde të dyfishta.

Në një intervistë për gazetën serbe “Politika”, ai tha se themelimi i Asociacionit të Komunave më shumicë Serbe është një element i rëndësishëm i Marrëveshjes së Brukselit.

Ai theksoi mes tjerash se marrëveshjet ekzistuese do të zbatohen, gjë që siç tha ai do t’i ndihmojë të dyja palët të ndërtojnë besimin e ndërsjellë dhe të iniciojnë dialogun.

Diplomati kinez në Beograd tha se marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Kinës dhe Serbisë është marrëveshja e parë e tillë ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.

“Megjithëse marrëveshja nuk ka hyrë ende në fuqi, ajo tashmë ka shfaqur një efekt stimulues, kështu që ka ngjallur besim dhe pritshmëri të forta në marrëdhëniet tregtare ekonomike të dy vendeve”, shtoi ambasadori kinez.