Ambasadori italian në Serbi, Luka Gori tha se tani është koha, pas disa ditësh të tensionuara në veri të Kosovës, që situata të qetësohet, të merren masa për uljen e tensioneve në terren dhe tha se duhet të shmangen lëvizjet e njëanshme, shkruan GazetaBlic.
Këtë e ka thënë Gori për Tanjug, duke iu përgjigjur pyetjes nëse bashkësia ndërkombëtare mund të ndikojë më shumë në Prishtinë dhe shtoi se është koha që të krijohen kushtet për vazhdimin e procesit politik për të cilin është punuar javët e fundit.
“Ne arritëm një rezultat shumë të rëndësishëm në Ohër dhe është e rëndësishme që të krijohen kushtet për vazhdimin e procesit politik, me fokus, para së gjithash, në formimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, tha Gori, përcjellë GazetaBlic.
Sipas tij, situata në Kosovë është shumë komplekse dhe delikate dhe bashkësia ndërkombëtare është shumë e përfshirë në zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“BE udhëheq dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe përpiqet të ndërmjetësojë në dialog, NATO dhe KFOR janë shumë të pranishëm në terren dhe siç e dini prania e Italisë është shumë e rëndësishme në kuadër të këtij misioni. Italia ka pasur një rol shumë të rëndësishëm historik në mbrojtjen e manastireve ortodokse. Gjithashtu, Italia, si vend i Quintit, është shumë e interesuar dhe e përfshirë, duke u përpjekur të ndërmjetësojë në dialogun politik”, tha Gori.


