Lajme

Ambasadori i Izraelit në OKB bën sërish thirrje që Guterres të japë dorëheqje

10/25/2023 22:06
nga:Sh R

Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Gilad Erdan ka kërkuar edhe një herë që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Gueterres të japë dorëheqjen.

“Është turp për OKB-në që Sekretari i Përgjithshëm nuk tërhiqet nga fjalët e tij dhe nuk mund të kërkojë as falje për atë që tha dje. Duhet të japë dorëheqjen”, tha Erdan.

Ai tha se Gueterres e shtrembëron realitetin, ndërsa shtoi se ai e fajësoi Izraelin për sulmin e Hamasit më 7 tetor, raporton BBC.

“Çdo person e kupton shumë mirë se kuptimi i fjalëve të tij është se Izraeli ka faj për veprimet e Hamasit ose, të paktën, tregon mirëkuptimin e tij për ‘sfondin’ që çoi në masakër”, deklaroi ambasadori izraelit.

“Një sekretar i përgjithshëm që nuk e kupton se vrasja e të pafajshmëve nuk mund të kuptohet kurrë nga asnjë ‘sfond’ nuk mund të jetë sekretar i përgjithshëm”, shtoi ai.