Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, deklaroi se në Kosovë dita ditës po rritet dezinformimi.
Duke folur në Konferencën për Integritetin e Informacionit, ai shtoi se shteti që përfaqëson e ka prioritet kryesor rritjen e sigurisë kibernetike dhe informacionit, e kjo përfshin edhe ndalimin e dezinformatave.
Ndërkaq AnnaCarin Platon, shefe e Sektorit Politik në Zyrën e BE-së, kërcënimet kibernetike i ka quajtur sfidë globale, dhe për këtë ka kërkuar edhe angazhimin e të gjithëve në këtë luftë.
“Kërcënimi i sigurisë kombëtare është sfidë globale dhe kërkon që ne të punojmë së bashku. Këto kërcënime kibernetike janë rritur dhe po rrezikojnë që të çojnë edhe në eskalim konflikti mes shteteve”.
Në temën “Siguria kibernetike: A është dezinformimi kërcënimi i radhës?”, edicioni i 5-të do të fokusohet kryesisht në kornizën ligjore të Kosovës për sigurinë kibernetike dhe dezinformimin si kërcënim kibernetik nga një perspektivë globale.
Gjatë gjithë ditës do të mbahen panele të diskutimit në lidhje me këtë çështje. Pjesëmarrës në konferencë është edhe kreu i qeverisë, Albin Kurti.


