Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, deklaroi të martën se është e rëndësishme që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të krijohet sa më shpejt.
Kjo pasi siç tha ai, në këtë mënyrë Kosova mund të bëj një hap të madh përpara në procesin e normalizimit me Serbinë.
Rohde tha se zgjidhja e qëndrueshme është ajo që përfshinë themelimin e një Asociacioni, “i cili është shkruar me kujdes sipas Kushtetutës së Kosovës”.
“Gjermania është një nga partnerët më të afërt të Kosovës dhe ne së bashku me BE-në dhe me mbështetjen e plotë të lehtësuesit të BE-së kemi bërë shumë përpjekje që të ketë një zgjidhje të qëndrueshme, dhe zgjidhja përfshin themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe.
Dhe, kryeministri publikisht ka deklaruar se ky propozim i fundit i paraqitur nga BE-ja, është shkruar me kujdes sipas Kushtetutës së Kosovës. Jam 100 për qind i sigurt se nuk po bëjmë asgjë që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe ne e mbështesim plotësisht Kosovën, dhe [Asociacioni] duhet të krijohet sa më shpejt aq më mirë dhe atëherë mund të bëjmë një hap të madh përpara në procesin e normalizimit me Serbinë,” u shpreh ai.
Ambasadori tha se NATO është këtu për të mbështetur stabilitetin në Kosovë, i cili po reagon ndaj sulmit terrorist në Banjska për të ofruar siguri. Ai ceku se është e rëndësishme të përmirësohet siguria në veri.
Rohde u shpreh se NATO-ja është më i fortë, por nuk do të thotë ndryshim ligjor.
“NATO ka një mandat të qartë dhe ai mandat nuk ka ndryshuar”, tha ai.