Lajme

“Ambasada nuk ka të drejtë të ofrojë ndihmë për tubime si ai i Kurtit e Gërvallës në Frankfurt”

11/20/2024 23:51
nga:G B

Ish-diplomati, Tomorr Avdia, ka thënë se ambasadave iu ndalohet me ligj përfshirja në fushatat elektorale.

Sipas tij, diplomatët nuk kanë të drejtë as të jenë pjesë e as të ofrojnë ndihmë për takime të tilla.

“Konsullatat e kanë të ndaluar me ligj në çdo vend që të jenë të përfshira në fushata elektorale sepse misionet diplomatike edhe ligjin që e ka çdo ministri e Jashtme duke përfshirë edhe Ministria e Jashtme e Kosovës e ka të ndaluar që të jetë e përfshirë në akte të cilat kanë të bëjnë në fushata pra diplomatët nuk kanë të drejtë të jenë pjesë e këtyre takimeve, nuk kanë të drejtë të organizojnë takime, nuk kanë të drejtë të ofrojnë logjistikë për organizimin e këtyre takimeve, nuk kanë të drejtë të ofrojnë ndihmë për organizimin e këtyre takimeve. Konsullata në Frankfurt dhe autorët që e kanë dhënë urdhrin për të marrë pjesë e kanë shkelur ligjin. Ministri i Diasporës mund të mbajë takime me drejtues të diasporës e jo takim masiv politik, dallon kjo”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit”, në Tëvë1.

Më 10 nëntor, Kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, janë takuar me mërgatën në Frankfurt të Gjermanisë.