Nga 25 qershori, janë aprovuar lehtësime të kufizimeve të udhëtimit nga Kosova drejt Gjermanisë për personat që janë plotësisht të vaksinuar kundër Covid-19.
Ambasada e Gjermanisë përmes një njoftimi ka thënë se duke filluar nga data 25 qershor, për personat, të cilët janë plotësisht të vaksinuar kundër Covid-19, sërish do të jenë të mundshme udhëtimet nga Kosova drejt Gjermanisë, mirëpo me disa parakushte të caktuara.
Personat që janë plotësisht të vaksinuar, 2 javë pas marrjes së vaksinës së fundit do të mund të udhëtojnë drejt Gjermanisë për vizita, udhëtime afariste dhe qëllime turistike, me kusht që posedojnë vizën eventualisht të nevojshme.
Për këtë kategori të personave të përmendur më lart, parashihet që duke filluar nga korriku mund të caktojnë termine për viza Schengen.
Me rastin e parashtrimit të kërkesës për termin, përveç dokumentave të zakonshme për aplikim, tanimë duhet të paraqiten edhe dokumentet mbi statusin e vaksinimit. E nevojshme për udhëtim është një dëshmi mbi vaksinimin e plotë dhe të bërë së paku para 14 ditësh me një vaksinë të lejuar edhe në Gjermani.