Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës do të zhvillojë një stërvitje të përbashkët në shkallë të gjerë të premten.
Stërvitja do të zgjasë nga ora 15:00 deri në 21:00 dhe do të fokusohet në menaxhimin e krizave, koordinimin ndër-institucional dhe procedurat e reagimit emergjent, shkruan Reporteri.net.
“Ajo është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës për të forcuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe për të siguruar gatishmërinë në reagimin ndaj një sërë incidentesh të mundshme”, thuhet në njoftim.
Në njoftim theksohet se ambasadat dhe konsullatat e Shteteve të Bashkuara shpesh zhvillojnë stërvitje me qëllim përgatitjen e stafit për emergjenca natyrore ose të shkaktuara nga njeriu.
“Në përgjithësi, këto realizohen përmes stërvitjeve të brendshme teorike ose në shkallë të vogël. Megjithatë, marrëdhëniet e forta bilaterale dhe bashkëpunimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës krijojnë një mundësi të veçantë për zhvillimin e një stërvitjeje të përbashkët, në shkallë të gjerë dhe me veprim të drejtpërdrejtë për menaxhimin e krizave në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Gjatë stërvitjes, mund të ketë:
-Prani të shtuar të Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së Ambasadës së SHBA-së në afërsi të Ambasadës dhe zonave të tjera të caktuara për stërvitje në Prishtinë;
-Pengesa dhe devijime të përkohshme të trafikut, përfshirë mbyllje afatshkurtra të rrugëve sipas udhëzimeve të Policisë së Kosovës;
-Përdorim të mundshëm të sirenave, altoparlantëve dhe efekteve të tjera stërvitore që mund të vërehen nga banorët dhe kalimtarët.
“Ambasada e SHBA-së thekson se kjo është vetëm një stërvitje, jo përgjigje ndaj ndonjë incidenti real. Ne kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e publikut dhe ju ftojmë të ndiqni çdo udhëzim të dhënë nga Policia e Kosovës gjatë kësaj periudhe”, thuhet në njoftim.


