Lajme

Ambasada e ShBA-së për shtetaset kosovare të kthyera nga Siria: Kosova po demonstron lidership global

05/28/2022 18:28
nga:G B

Riatdhesimi i sotëm i qytetarëve kosovarë nga zonat e konfliktit në Siri, grupi i tretë në 4 vjet, përbën një shembull për të tjerët që duhet të ndjekin. Kosova vazhdon të përqafojë përgjegjësinë për qytetarët e saj duke demonstruar lidership global në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.’

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka reaguar për kthimin e dy shtetasve kosovarë nga zona e konfliktit në Siri.

Në reagimin e ambasadës thuhet se Kosova vazhdon të përqafojë përgjegjësinë për qytetarët e saj duke demonstruar lidership global në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

“Riatdhesimi i sotëm i qytetarëve kosovarë nga zonat e konfliktit në Siri, grupi i tretë në 4 vjet, përbën një shembull për të tjerët që duhet të ndjekin”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Për riatdhesimin e dy shtetasve kosovarë, reagim ka pasur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se kjo u bë në bashkëpunim me qeverinë e Shqipërisë.

Tutje, Sveçla tha se kërkon respektimin e privatësisë së të kthyerve nga Sira dhe familjarëve të tyre për arsye të ndjeshmërisë së këtij procesi.

“Si institucione do të jemi në gjendje gatishmërie në çdo kohë dhe do të angazhohemi maksimalisht për mirëqenien e qytetarëve tanë por gjithmonë duke pasur parasysh që çdo veprim kundër ligjeve të Republikës së Kosovës dënohet sipas masave që përcaktohen nga ligjet”, ka shkruar Sveçla.