Lajme

Ambasada e SHBA-së në Shqipëri: Shmangni protestat më 20 shkurt

02/18/2026 22:15
nga:Y I

Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi sot qytetarët amerikanë në Tiranë të shmangin vendndodhjen e protestës së paralajmëruar të Partisë Demokratike në 20 shkurt.

Ambasada në një njoftim në faqen e saj zyrtare informon qytetarët se një demonstratë është planifikuar të zhvillohet të premten, më 20 shkurt 2026, në orën 18:00.

Sipas njoftimi, protestuesit planifikojnë të mblidhen në ndërtesën e Kryeministrit, e vendosur në Bulevardin Deshmoret e Kombit midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej.

“Prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut priten në orët para dhe gjatë protestave. Policia e Shtetit Shqiptar ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzimet në pjesë të ndryshme të qendrës së qytetit”, vijon njoftimi.

Personelit të Ambasadës Amerikane i është këshilluar të shmangë demonstratën.

Ambasada këshillon qytetetarët amerikanë të monitorojnë median lokale dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit.

“Ndërsa protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Udhëzimi ynë i përhershëm është të shmangni zonat e protestave. Nëse ndodheni në qytet, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe i jepni përparësi sigurisë suaj personale”, thuhet në njoftim.