Ambasada amerikane në Prishtinë i ka paralajmëruar përfituesit e vizave se nuk mund të qëndrojnë në territorin amerikan më gjatë sesa që u lejohet.
Në një njoftim për media të martën, Ambasada tha se kontrolli i vizave nuk ndalet pas lëshimit të tyre.
Ajo tha se SHBA i kontrollon vazhdimisht vizat dhe se në rast të shkeljes së rregullave, i revokon ato.
“Kontrolli i vizave në SHBA nuk ndalet pas lëshimit të vizës. Ne i kontrollojmë vazhdimisht mbajtësit e vizave për t’u siguruar që ata zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregullat e emigracionit të SHBA-së – dhe ne do t’ua revokojmë vizat dhe do t’i dëbojmë nëse nuk e bëjnë këtë”, ka shkruar ambasada.


