Zëvendëssekretarja e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me seli në Hagë, Terra Gearhard Serna po e përcjell nga galeria fjalën përfundimtare të Mbrojtjes së Hashim Thaçit.
Zyrtarja amerikane ka qenë e pranishme edhe në seancat e shtatorit dhe nëntorit, gjatë dëshmive të diplomatëve dhe ushtarakëve amerikanë, madje duke i shoqëruar në bankën e dëshmitarëve për t’u kujdesur që ata të mos zbulonin informacione ende konfidenciale të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Pentagonit.
Prania e zëvendëssekretares së misionit diplomatik vjen në ditën kur Mbrojtja e Thaçit do t’i kundërpërgjigjet Prokurorisë së Specializuar për aludimet se dëshmitarëve si Wesley Clark dhe James Rubin, UÇK-ja ua ka fshehur veprimet e tyre dhe të njëjtit nuk kanë qenë të informuar si duhet për ngjarjet gjatë periudhës së luftës, rrjedhimisht nuk duhet t’u jepet peshë rrëfimeve të tyre në Speciale.
Për këtë në seancën e pasdites do të flasë avokati Pierre Richard Prosper.


