Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se moscertifikimi i listës së kandidatëve të Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e parakoshme të 28 dhjetorit, është çështje e KQZ-së.
I pyetur nga gazetarët se si i komenton reagimet e sotme të shoqërisë civile dhe ato të ambasadës së SHBA-së rreth Lëvizjes Vetëvendosje për moscertifikim të Listës Serbe në KQZ, Kurti është deklaruar shkurt: “Ajo është çështje e KQZ-së, ajo është çështje e ambasadës amerikane. Unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës”.
Një deklaratë të tillë Kurti e bëri pas vendosjes së gurthemelit të tribunës lindore në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Ndërkohë, Ambasada e SHBA-së në Kosovë, duke komentuar më herët veprimet e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ për moscertifikimin e Listës Serbe, kishte vlerësuar se një qasje e tillë është “e ngushtë në vizion dhe përçarëse”.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje t’i ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla e cenojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-ve, përfshirë edhe rifillimin e dialogut tonë strategjik për të avancuar mundësitë për bizneset amerikane dhe kosovare”, pati shkruar ambasada amerikane në Kosovë.


