Lajme

Ambasada britanike e mirëpret lajmin e kthimit në Serbi të mbetjeve të tre trupave të vrarë gjatë luftës

06/18/2024 19:10
nga:Sh R

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka thënë se e mirëpresin lajmin se autoritetet kosovare i kthyen eshtrat e tre civilëve serbë të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë në pikën kufitare në Merdare pas identifikimit të tyre të suksesshëm.

Ambasada britanike tha se më se 25 vjet pas luftës, familjet e personave të zhdukur vazhdojnë të jetojnë në pikëllim, pa pasur informacione për vendndodhjen e më të dashurve të tyre.

“Ne mbetemi të përkushtuar në punën tonë për të mbështetur të drejtën themelore të këtyre familjeve për të ditur fatin e të afërmve të tyre dhe inkurajojmë bashkëpunim të mëtejshëm e më të thellë për këtë çështje”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike.

Ditor Haliti, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka thënë për Radion Evropa e Lirë se mbetjet e trupave që do të dorëzohen sot, janë mbajtur në Institut që nga paslufta, por ka pasur probleme për identifikimin e tyre.

“Kanë qenë në Institut, sepse nuk kanë mundur të identifikohen gjatë kësaj kohe për arsye se familjarët nuk kanë dhënë mostra të gjakut që të mund të identifikohen. Vitin e kaluar janë dhënë mostrat e gjakut të familjarëve edhe janë dërguar mostra shtesë të ADN-së, të cilat na kanë dhënë rezultatet e atyre që janë të identifikuar”, ka thënë ai.