Ndeshja e paraparë të zhvillohej ndërmjet KF Besa Pejë dhe KEK-ut nuk do të luhet, pasi ekipi mysafir nuk ka udhëtuar fare drejt stadiumit.
Lajmi është bërë i ditur nga klubi pejan përmes një njoftimi zyrtar, ku është theksuar se futbollistët dhe stafi i Besës kanë qenë të pranishëm në fushë dhe të gatshëm për zhvillimin normal të takimit, duke respektuar të gjitha obligimet sportive dhe rregullat e kampionatit, transmeton GazetaBlic Sport.
Sipas reagimit të klubit, drejtuesit e Besa Pejës nuk kishin marrë asnjë njoftim paraprak nga pala kundërshtare apo organet kompetente lidhur me moszhvillimin e ndeshjes, çka ka shkaktuar habi dhe pakënaqësi te skuadra vendase dhe tifozët e pranishëm në stadium.
“Djemtë tanë ishin në fushë, duke e respektuar kampionatin dhe ndeshjen ashtu siç i ka hije”, thuhet ndër të tjera në reagimin e klubit pejan.
/GazetaBlic Sport/


