Sporti

Alves në stolin e të akuzuarve, braziliani mbetet në burg dhe nuk i shpëton gjyqit

07/31/2023 20:01
nga:E K

Gjykata Investigative numër 15 në Barcelonë ka vendosur ta mbyllë çështjen e Dani Alves dhe ta dërgoje braziliani në gjyq duke qenë se sipas tyre ka prova të mjaftueshme që ish-futbollisti ka abuzuar seksualisht me një 23-vjeçare në tualetin e një diskoteke të Barcelonës mbrëmjen e 30 dhjetorit të vitit 2022.

Edhe pse avokati mbrojtës kishte paraqitur disa prova me Alves që këmbëngulte se marrëdhënia seksuale kishte ndodhur me miratimin e të dyja palëve, sërish 40-vjeçari nuk do të mund t’i shpëtojë gjykimit dhe do të ulet në stolin e të akuzuarve ndërsa nëse akuzat vërtetohen rrezikon një dënim nga tetë deri në 10 vite burg.

Të enjten e ardhshme, Alves do të dalë edhe njëherë tjetër të dëshmojë para Gjykatës Investigative në Barcelonë, por vendimi vështirë të ndryshojë pasi nuk janë paraqitur prova të reja.

Pasi të mbyllet ky proces në Gjykatën Investigative, Alves do të presë datën që do të mbahet gjyqi ndërsa e sigurt është se seanca nuk do të mbahet para dhjetorit të vitit 2023 apo fillimit të vitit 2024. Deri në atë periudhë, Alves do të mbetet në burg dhe do të kompletojë një vit pas hekurave duke qenë se është i ndaluar prej 20 janarit të vitit 2023.