Lajme

Aluzionet e Vuçiqit për tërheqjen e KFOR-it, të pabaza

05/14/2021 16:32
nga:M K

Aleanca Veriatlantike dhe Kombet e Bashkuara, në këtë kohë nuk do të tërheqin misionet e tyre nga Kosova, vlerësojnë ekspertët e sigurisë dhe ata të politikës së jashtme. Por, ata shtojnë se do të vijë një ditë kur misioni i KFOR-it dhe ai i UNMIK-ut, do të largohen nga Kosova. Ndërkaq, nga NATO-ja dhe UNMIK-u, kanë thënë se për çdo ndryshim eventual të misionit të tyre në Kosovë, duhet të merret një vendim në këto institucione. Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar që të deklarohet për këtë temë.

Këto reagime vijnë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 13 maj tha se vendi i tij ka marrë informacione nga burimet e inteligjencës, se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë të kërkojë zyrtarisht tërheqjen e forcave të KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova.

Presidenti i Serbisë po ashtu deklaroi se për këtë çështje do të përpiqet të diskutojë edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin pritet të takohet më 17 maj në Bruksel.

Vuçiq po ashtu komentoi faktin se Qeveria e Kosovës do të ndajë 100 milionë euro në vit për ushtri, shumë kjo, që sipas tij, nuk mund të krahasohet me Serbinë, shtet që ndan nga buxheti dy miliardë euro për ushtrinë.

Sipas tij, tërheqja e KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova do të ishte “një katastrofë”.

Deklaratat e Vuçiqit synojnë “dobësimin e FSK-së”

Eksperti i sigurisë, Ramadan Qehaja tha për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e presidentit serb, Vuçiq për këtë temë, në fakt, ishin një veprim politik që kishte për qëllim diskreditimin dhe dobësimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Tani që Vuçiqi do të takohet me Stoltenbergun, ai do t’i kërkojë KFOR-it që të qëndrojë këtu, në mënyrë që të ndikojë që FSK-ja të mos jetë ushtri, ashtu siç është planifikuar që të shndërrohet në ushtri”, tha Qehaja.

Më 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet. Kapaciteti i plotë operacional i kësaj force, pritet të bëhet gjatë fazës së tretë të procesit të transformimit.

Qehaja shtoi se patjetër që do të vijë një ditë kur NATO-ja do të tërheqë trupat nga Kosova, por ai thekson se para kësaj, është e nevojshme që Kosova dhe Serbia të bien dakord për këtë temë, në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Ai po ashtu tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme që të përballet në çdo kohë me të gjitha çështjet e fushës së mbrojtjes.

“Sigurisht që ka ende probleme në gatishmërinë luftarake, por ata janë në rrugën e duhur që dita-ditës ta rrisin atë gatishmëri. Ekziston edhe një problem financiar, ju duhet të siguroni para për armë, pajisje e të tjera. Edhe nëse KFOR-i largohet nga Kosova, është e kuptueshme që çështjet e sigurisë do të jenë në duart e FSK-së”, tha Qehaja.
Ndërkaq, profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti thotë se misioni i KFOR-it dhe ai i UNMIK-ut në Kosovë janë bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe sipas tij, roli i tyre është i përkohshëm.