Skuadra e Malishevës në futboll shkroi historinë me inkuadrimin në Superligën e Kosovës si kampion i Ligës së Parë.
Që në xhiron e parë, KF Malisheva tregoi se është skuadër e fortë edhe këtë edicion, pasi barazoi ndaj kampionit aktual të Superligës, Prishtinës me rezultatin 1:1, shkruan GazetaBlic Sport.
Sulmuesi i cili kishte rol kyç në inkuadrimin e Malishevës në Superligë, Altin Aliu mungoi në ndeshjen e parë të klubit të tij, megjithatë siguron të gjithë se është i gatshëm për lojë.
“Sigurisht që do të jem i gatshëm dhe do të japë maksimumin nga vetja nëse trajneri do të llogarisë në mua”, tha fillimisht Altin Aliu për ‘GazetaBlic Sport’.
Aliu tha se ndihet mirë që ka qenë pjesë e historisë së Malishevës, teksa shton se tani klubin e pret një punë e madhe.
“Ndihem shumë mirë pasi kam qenë prezent në një ekip fantastik me të cilën kemi shkruar historinë, inkuadrimin në Superligë, tani na pret një punë e madhe, sepse do të jetë një sezon më i veshtirë”, vazhdoi sulmuesi këmbëshpejtë i Malishevës.
Në fund, sulmuesi potencoi se Malisheva do të jetë “arrë” e fortë për çdo skuadër sivjet.
“Unë mendoj që këtë vit KF Malisheva do të jetë arrë e fortë për çdo kundërshtarë, dhe shpresoj t’i ndihmojë ekipit që të dalim si grup i suksesshëm”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


