Sporti

Alonso priti muaj të tërë për të bërë dhurata për lojtarët e Bayer, ai ka shpenzuar 60 mijë euro

12/17/2024 13:33
nga:Lorik J

Bayer Leverkusen fitoi Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë sezonin e kaluar. Skuadra e trajnerit Xabi Alonso ishte afër kurorës së trefishtë, por humbja e vetme e sezonit ishte ndaj Atalantës (3:0) në finalen e Europa League.

Me fitimin e kampionatit gjerman, klubi nga Leverkusen i dha fund dominimit 11-vjeçar të Bayern Munichut dhe Alonso u shpërndau dhurata lojtarëve të tij gjashtë muaj pas ngritjes së trofeut.

Eksperti spanjoll, i cili fitoi titujt e tij të parë si trajner pas një karriere të shkëlqyer si lojtar, kishte kopje të trofeut që iu dha fituesit të Bundesligës.

Bild shkruan se kopjet duken si origjinale, vetëm se janë më të vogla dhe qëndrojnë mbi një bazë druri të errët. “Në shtëpi kam një kopje të të gjithë trofeve që kam fituar, dhe tani edhe këtë. Suksesi është një kujtim i bukur për të gjithë, prandaj e bëra atë,” tha Alonso për Bild, ndërsa drejtori sportiv i Bayer Simon Rolfes falënderoi spanjollin: “Një gjest i mrekullueshëm nga Xabi.”

Bild shkruan se dhuratat janë bërë nga një prodhues i autorizuar i kopjeve të trofeut nga Bremeni dhe e gjithë paketa ka kushtuar më shumë se 60 mijë euro.

/GazetaBlic Sport