Sporti

Alonso këshillohet që të refuzojë Liverpoolin dhe të presë Real Madridin

03/08/2024 23:10
nga:E K

Xabi Alonso është një prej trajnerëve në qendër të vëmendjes, falë punës mbresëlënëse që po shfaq me Bayer Leverkusenin.

Derisa skuadra gjermane po i afrohet titullit historik të kampionit në Bundesligë, spanjolli është i lidhur me Liverpoolin, për të zëevnedësuar Jurgen Kloppin, i cili do të largohet në fund të sezonit.

Alonso ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2026, andaj klubi anglez do të duhet të paguajë një shumë të konsiderueshme kompensimi për të prishur kontratën e tij.

Megjithatë, pavarësisht tundimit që mund të ketë nga Liverpooli, ish-drejtori menaxhues i Bayer Leverkusenit, Reiner Calmund, e ka këshilluar Alonson që të qëndrojë në Gjermani dhe të presë të zëvendësojë Carlo Ancelottin te Real Madridi.

“Unë besoj fuqishëm se Alonso do të jetë trajneri i Leverkusenit sezonin e ardhshëm. Si lojtar ai fitoi gjithçka, duke përfshirë Ligën e Kampionëve në Real Madrid. Ancelotti ka zgjatur kontratën, kështu që për momentin nuk ka asnjë rrezik. Nëse do të isha agjenti i Alonsos, nuk do ta këshilloja të shkonte në Liverpool si pasardhës i Klopp. Unë do të rekomandoja që ai të qëndrojë në Leverkusen për një ose dy vjet të tjera dhe pastaj ndoshta të zëvendësojë Ancelottin”, deklaroi Calmund, raporton “AS”.

Alonso nuk besohet se do të marrë ndonjë vendim lidhur me të ardhmen para përfundimit të sezonit, duke marrë parasysh se Bayer Leverkuseni është në garë për titullin e kampionit në Bundesligë, për trofeun e Kupës së Gjermanisë, si dhe për trofeun e Ligës së Evropës.

Përveç me Liverpoolin, 42-vjeçari është i lidhur edhe me punën e trajnerit te Bayern Munichi, pasi edhe “Bavarezët” janë në kërkim të një trajneri për sezonin e ardhshëm, duke ditur se Thomas Tuchel do të largohet në fund të sezonit aktual.