Analistja politike, Alma Lama, ka folur për formimin e qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje, teksa ka thënë se ajo i ka 57 vota dhe jo 61 sa nevojiten, ndërsa që duhet bashkëpunim me komunitetin joshumicë joserbë.
Ajo në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se mbetet të shihet si do të veprohet.
“Qeverinë nuk mund ta krijojë vet, pa bashkëpunim me minoritetet nga komuniteti joshumicë, sepse po duket sikur po anatimohen ata, ata sigurisht që kanë votat e tyre dhe në rast se do të shkelet Kushtetuta dhe t’u mohohen të drejtat e garantuara me Kushtetutë, fare nuk më vjen çudi që të ketë ndonjë reagim. 57 vota nuk mjaftojnë për ta formuar qeverinë, duhen 61 vota, kështu që mbetet të shihet”, është shprehur ajo.
Ajo ka folur dhe për çështjen e presidentit, që thotë se është tërësisht në dorën e Albin Kurtit, nëse ai do të bëjë kompromis me partitë tjera për gjetjen e një figure unifikuese apo do të shkojë me logjikën imponuese, sikur në mandatin e kaluar.
“Natyrisht se nuk i ka votat për zgjedhjen e presidentit/es dhe i duhet bashkëpunim me partitë e tjera politike. Mendoj se për çështjen e presidentit e ka tërësisht në dorë z.Kurti, nëse do të ofrojë mundësi për bashkëpunim dhe kompromis me partitë e tjera apo do të shkojë me logjikën imponuese, siç ka bërë në mandatin e kaluar me kryetaren e Kuvendit dhe për të prodhuar pastaj një krizë tjetër politike dhe për të shkuar në zgjedhje të tjera, kështu që është tërësisht në dorën e tij”, ka thënë Alma Lama./Gazeta Blic/


