Lajme

Aliu: Në draftin për “Bjeshkët e Nemuna” parashihet zonë ndërtimore dy herë më shumë se komunat në të cilat shtrihet ky park

11/22/2021 18:15
nga:Gazeta Blic

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, përpara deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka dhënë detaje rreth planit hapësinor të Parkut Nacional “Bjeshkët e Nemuna”, ku bëri të ditur se këtë plan ai e ka kthyer mbrapsht.

Ai tha se plani është i përfunduar dhe pritet të kaloj në qeveri dhe të vij në kuvend, por që ai ka vendosur ta kthej mbrapsht për arsye të të gjeturave në atë draft, ku tha se sipas atij plani në “Bjeshkët e Nemuna” do të kishte për dy herë më shumë zona ndërtimore se në komunat në të cilat shtrihet ky park.

“Zona ndërtimore brenda Parkut Nacional “Bjeshkët e Nemuna” është 13 mijë hektarë. Parku është në një pjesë të Gjakovës, Junikut, Decanit, Pejës dhe Istogut, pra shtrirja është në këto komuna. Dhe sikur t’ua mbledhim ne këtyre komunave zonat urbane sa i kanë, e t’i shumëzojmë për dy, zona ndërtimore e Parkut Nacional “Bjeshkët e Nemuna” është më e madhe se kjo”, është shprehur Aliu, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ai tha se sipas këtij drafti, në Parkun Nacioanl “Bjeshkët e Nemuna” i bije që të ndërtohen dy Peja, dy Deçana, dy Junika, dy Istoga e dy Gjakova në park.

“Pra, unë nuk e sjell këtë plan dhe duhet ta draftojmë ndryshe. Por, kjo ka qenë logjika se si është punuar dhe nuk është e lehtë ta rrotullojmë këtë situatë”, ka thënë Aliu.