Lajme

Aliu, Durmishi e Bulliqi prezantojnë projektin e rrugës Prishtinë-Podujevë

01/14/2023 19:19
nga:Astrit Gashi

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Liburn Aliu ka njoftuar se me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishin dhe me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqin, kanë prezantuar projektin e rrugës Prishtinë-Podujevë. Këtë projeki, ministri Aliu e cilësoi si një prej projekteve më të rëndësishme në infrastrukturën rrugore për vitin që sapo ka nisur.

“Me gjithë vështirësitë që 2022 solli, ja dolëm që të avancojmë duke përfunduar elaboratin e shpronësimit, disponueshmërinë e mjeteve nga MFPT, duke siguruar kështu plot 38 milionë euro për përfundimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë, që besojmë e shpresojmë se do ta përfundojmë brenda mandatit qeverisës”, ka shkruar ministri Aliu.

Tutje Aliu ka shtuar se rruga Prishtinë-Podujevë, do të transformohet “rrënjësisht”, duke përmirësuar dhe rritur ndjeshëm parametrat e sigurisë rrugore për të garantuar që qarkullimi i automjeteve të vijojë pa asnjë problematikë dhe mbi të gjitha të përballojë fluksin e shtuar të lëvizjes në këtë aks rrugor.

Mes tjerash Aliu ka theksuar se së bashku Policinë e Kosovës, janë të gastshëm për të garantuar që qarkullimi i automjeteve të vijojë pa asnjë problematikë, pavarësisht problemeve që i hasim deri në fillimin e punimeve në këtë aks rrugor.