Lajme

Aliu bën reagimin e radhës, kësaj here përmend edhe Thaçin, Veselin e Krasniqin

04/03/2023 18:06
nga:Genita C

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka bërë reagimin e radhës për seancën e sotme në Gjykatën Speciale, pas atij që bëri për Rexhep Selimin, raporton GazetaBlic.

Në postimin e fundit, Aliu ka përmendur të gjithë krerët e UÇK-së duke thënë me bindje se do të triumfojnë.

Aliu thotë se, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, janë gjenerata që e çliroi më në fund Kosovën, por po përballet me padrejtësinë e radhës.

Shkrimi i plotë:

Brez pas brezi luftëtarët tanë janë përballur me padrejtësitë. I kemi dëgjuar historitë e tyre prej më të vjetërve, qysh kur kemi qenë fëmijë, jemi rritur me ta, jemi angazhuar krah për krah, dhe kemi ndarë sfidën e sakrificën bashkë me ta.

Sot luftëtarët tanë të lirisë, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, gjenerata që e çliroi më në fund Kosovën, po përballet me padrejtësinë e radhës.

Por e bardha nuk nxihet dot nga shpifjet. Jam i bindur se ata do të triumfojnë. UÇK-ja është e shenjtë, luftëtarët dhe prijësit e saj janë heronj!