Lajme

Ali Berisha i bindur: Do të jemi në balotazh e më pas do të dalim fitues – përpos Pejës i fitojmë dhe këto komuna

09/21/2025 19:35
nga:G B

Ali Berisha, kandidat i AAK-së për kryetar të Pejës, mendon se do të dalin fitues më 12 tetor.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se presin të shkojnë në balotazh e më pas të dalin fitues, me programin dhe ofertën që kanë.

“Ne mendojmë, bazuar në punën që e bëjmë, në ofertën që e kemi, besojmë se do të jemi fitues në këto zgjedhje por edhe rezultatet që na çojnë në balotazh do t’i konsiderojmë si vlerësim të qytetarëve dhe besoj se mandej në balotazh do të kemi më shumë kohë për t’u shpjeguar, kemi edhe 1 muaj kohë dhe në fund besoj se në balotazh do të fitojmë dhe do të jemi për 4 vjet në shërbim të qytetarëve, s’do të ketë politika përjashtuese por çdo qytetar do të jetë i trajtuar ashtu siç duhet në çdo institucion”, ka potencuar ai.

Nuk parashikon se me cilën parti shkojnë në balotazh, por në fund thotë se do të jetë fitues e garës.

“Nuk mund të them për partitë tjera por besoj se ne do të jemi pjesë e garës edhe pas 12 tetorit dhe në fund do të jemi fitues të kësaj gare”, ka vlerësuar Berisha.

Ai ka folur dhe për komunat që thotë se do t’i fitojnë, teksa përpos atyre që i ka e do t’i fitojë sërish, Berisha thotë se në pozicion të mirë për të fituar janë edhe Kamenica, Juniku e Istogu.

“Aleanca aktualisht në aspektin e mbështetjes komunale ka mbështetje të jashtëzakonshme pasi të tillë janë kryetarët. E keni parë se si qeveriset në komunat ku është AAK. Nëse e shohim ku kanë qenë Deçani e Gjakova dhe sot ku janë në krahasim me Pejën. Krahasim i pamatshëm në ato komuna. Janë kandidatë të jashtëzakonshëm dhe në këto komuna do të fitojmë. Po ashtu Juniku mund të jetë fitues i zgjedhjeve, Kamenica po ashtu ka mundësi të fitojë me një kandidat të jashtëzakonshëm, edhe Istogu besoj është në një pozicion të mirë me një kandidat të jashtëzakonshëm dhe këtyre besoj do t’u bashkohet edhe Peja dhe do ta kemi një hartë të re të mbështetjes për Aleancën në komunat e Kosovës”, ka deklaruar Ali Berisha./Gazeta Blic/