Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka komentuar situatën e ish-zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi, i cili aktualisht ndodhet në arrati.
Gjatë një deklarate për gazetarët, Ahmeti tha se Grubi gjendet në hapësirat shqiptare dhe se shumë shpejt do të paraqitet përballë organeve të drejtësisë.
Ahmeti theksoi se drejtësia nuk duhet të jetë hakmarrëse dhe selektive, duke bërë thirrje për një proces të drejtë dhe transparent.
“Ne jemi kundër drejtësisë selektive dhe kundër përdorimit të fyerjeve dhe shpifjeve për qëllime politike ditore. Artan Grubi nuk e kam takuar, por jam i bindur që vendndodhja e tij është në hapësirat shqiptare. Ai është i gatshëm të paraqitet tek organet e drejtësisë dhe të respektojë ligjet, por jo të përballet me një drejtësi hakmarrëse dhe të keqpërdorur për qëllime politike,” tha Ahmeti.
Ahmeti gjithashtu bëri thirrje për një proces të thelluar hetimor që përfshin të gjitha partitë politike dhe funksionarët, duke kërkuar vendosjen e një mekanizmi vetingu.
“Ne kemi kërkuar që të hapet hetim për të gjithë funksionarët deri më sot. Deri në pikën e fundit do të luftojmë për drejtësi të drejtë dhe të paanshme. Urdhëroni dhe hapni hetim për të gjithë. Artan Grubi nuk ka ikur, ai do të përgjigjet para drejtësisë, por me kushtin që drejtësia të mos përdoret si armë politike,” përfundoi ai.
Artan Grubi është larguar nga Maqedonia e Veriut prej dy javësh.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacione zyrtare për vendndodhjen e tij, ndërsa partitë politike pushtet dhe opozitë vijojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për lëshime në këtë rast.