Ish-ministri Aleksandar Jablanoviç thotë se nuk është mënyra e duhur që të mbahen zgjedhjet ashtu siç po kërkon kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Jablanoviç në një prononcim për GazetaBlic theksoi se nëse një vendim i tillë realizohet do të ketë pasoja të mëdha për të gjithë qytetarët, ku sipas tij, përgjegjësia shkon tek Lista Serbe dhe Qeveria e Kosovës.
“Mendoj se nuk është realiste të pritet që zgjedhjet të shpallen në një mënyrë të tillë me një peticion prej 20% të votuesve. Për këtë situatë përgjegjësinë kryesore e ka Qeveria e Kosovës dhe Lista Serbe, por pasojat i vuajnë të gjithë qytetarët”, tha ai.
Krahas kësaj, Jablanoviç shton se kryetarët e komunave veriore duhet të japin dorëheqje në mënyrë që kjo situatë të qetësohet sa më shpejt.
Sipas Jablanoviçit, që një gjë e tillë të ndodhë është i nevojshëm dialogu mes aktorëve politikë të serbëve të veriut dhe Qeverisë së Kosovës.
“Mendoj se kryetarët e komunave duhet të japin dorëheqjen dhe kështu të mbeten të regjistruar si njerëz pragmatikë dhe të guximshëm që kujdesen për interesat e shumicës së qytetarëve dhe jo për interesat e tyre personale politike. Që kjo të ndodhë, është i nevojshëm një dialog i drejtpërdrejtë ndërmjet aktorëve politikë të serbëve të veriut dhe Qeverisë së Kosovës, i cili aktualisht nuk ekziston”, tha Jablanoviq.
Jablanoviq nuk e përjashton faktin që edhe partia që ai drejton të marrë pjesë në zgjedhjet, kurdo që mbahen ato, por duhet plotësuar disa kushte fillestare.
“Mendoj se vetëm në një dialog të tillë mund të përcaktohen disa parakushte thelbësore për zgjedhje normale. Nëse Qeveria fillon një dialog dhe proces të tillë, partia që unë drejtoj sigurisht që do të merrte pjesë në atë dialog, pavarësisht nga dallimet tona të mëdha fillestare. Zgjedhjet janë qëllimi ynë dhe fitorja e zgjedhjeve është arsyeja pse ne merremi me politikë, por për këtë duhen plotësuar disa parakushte”, tha Jabllanoviq për GazetaBlic.
Paralajmërimi i kryeministrit Kurti për zgjedhjet në Veri të Kosovës
Kosova është e gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve në veriun e vendit, por duhen përgatitjet e nevojshme që të mos ketë më bojkot. Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti, një ditë pas takimit me të dërguarin e posaçëm të BE, Mirslav Lajcak, i cili sinjalizoi se lideri kosovar ishte pajtuar mbi nevojën e zbutjes së tensioneve në veri.
Duke ju referuar kërkesave të BE për shtensionim, Kurti tha mbajtja e zgjedhje është mënyra e vetme për ndërrimin e pushtetit në veri, por fushata duhet të jetë e drejtë dhe pa kërcënime. Sipas tij nuk ka garanci për pjesëmarrjen e serbëve.
Sa i përket pikës së tretë, largimit të policisë së Kosovës nga objektet e komunave veriore, Kurti tha se diçka e tillë nuk mund të ndodhë për sa kohë që ¾ e ekstremistëve të dhunshëm në veri janë në liri. Ai ju referua informacioneve se Serbia po kontrabandon armë me autoambulanca në veriun e Kosovës.
“Për zgjedhjet e parakohshme ne jemi dakord. Me zgjedhje ka ardhur, me zgjedhje largohet. Nuk mendoj se duhet të ketë mënyra të tjera, të drejta, ligjore për të larguar kryetarët. Nuk shpërblehet bullizmi me dorëheqje. Është akt moral. Unë jam dakord që kur të zgjidhet një kryetar i ri në Leposaviq të ketë pranim dhe dorëzim të detyrës.
SHBA-së i jam lutur që të mos shkojmë nga një dështim në tjetër, për sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve. Nuk ka garanci që do të ketë pjesëmarrje. Nuk do të jenë përsëritje të 23 prillit. Ekstremistët e dhunshëm ose të përballen me drejtësinë, ose të shkojnë në Serbi.
Autoambulancat janë përdorur për të transportuar armatim. Komandatin e KFORIT do ta takoj. Po grumbullojmë të dhëna. Kemi treguar angazhimin tone maksimal për deeskalim. Policia është në ndërtesa komunale, për shkak të dhunës, ekstremistët e identifikuar janë në liri.
Do duhet të përgatiten. I kam lutur ndërkombëtarët, llogarisni që 23 prilli të mos na përsëritet në vjeshtë ose në dimër. Nëse nuk ke asnjë gram garanci, duhet të rimendojmë e të përgatitemi më shumë”, tha ai.
Dedaj: Po të ishin Thaçi e Veseli këtu, Vjosa e Albini nuk do të ishin fare në pushtet!