Avni Arifi nga Aleanca, ka paralajmëruar kallëzime penale lidhur me disa vendime të Qeverisë në detyrë, përfshirë emërimet dhe kontratat e lidhura gjatë kësaj periudhe.
Duke folur në “Kosova Today”, Arifi tha se vendi po përballet me një situatë anarkike, ku Kushtetuta dhe ligjet po shkelen.
“Ne nuk kemi të bëjmë me një Republikë të tretë, por kemi të bëjmë me një anarki në të cilën është kthyer vendi. Është një situatë anarkike, ku Kushtetuta dhe ligjet po përdoren vetëm për t’u shkelur dhe pastaj gjenden arsyetime të kota përse po shkelen ato”, deklaroi Arifi.
Ai tha se një kallëzim penal pritet të bëhet edhe lidhur me emërimet që, sipas tij, po bëhen në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë.
“Kallëzim penal kemi për të bërë dhe nuk e di nëse ka ndodhur sot apo do të ndodhë nesër, mirëpo ndërlidhet me emërimet që po bëhen në një kohë kur Ligji për Qeverinë e ndalon fillimin e procedurave për emërime të reja politike”, tha ai.
Arifi ngriti shqetësime edhe për shpenzimin e parasë publike nga Qeveria në detyrë.
“Ligji ndalon shpërndarjen e parave të pabuxhetuara, që është vepër penale. Kjo Qeveri në detyrë ka të drejtë t’i shpenzojë vetëm paratë që kanë qenë pjesë e buxhetit të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës”, u shpreh ai.
Sipas Arifit, gjatë dy viteve të fundit janë shpërndarë rreth 3 miliardë euro pa, siç pretendoi ai, mekanizma të mjaftueshëm të mbikëqyrjes parlamentare.
“Nuk besoj që ka vend në botë ku, gjatë dy viteve të kaluara, rreth 3 miliardë euro kryeministri i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës i kanë shpërndarë pa asnjë mekanizëm mbikëqyrës parlamentar apo çfarëdo mekanizmi tjetër mbikëqyrës”, deklaroi Arifi.


