Lajme

Albulena Haxhiu: Rëndësi ka që asnjë grua të mos mbërrijë vonë

09/27/2026 15:01
nga:Genita C

Albulena Haxhiu, iu bashkua sot aktivitetit “Race for the Cure Kosova”, duke përcjellë një mesazh për rëndësinë e kontrolleve të hershme për kancerin e gjirit, raporton GazetaBlic.

Haxhiu u bëri thirrje grave që të mos e shtyjnë kontrollin shëndetësor dhe që këtë mesazh ta ndajnë edhe me vajzat, nënat, motrat, shoqet dhe koleget e tyre.

Ajo theksoi se te kanceri i gjirit koha është vendimtare dhe se duhet të lehtësohen pengesat që gratë të marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor.

Postimi i plotë:

Sot iu bashkova “Race for the Cure Kosova”, me dëshirën që mesazhi i kësaj gare të shkojë edhe te gratë që nuk ishin mes nesh, tek ato që e kanë shtyrë kontrollin duke u kujdesur për të tjerët, që kanë frikë nga përgjigjja apo që ende e kanë të vështirë të marrin kujdesin shëndetësor që u duhet.

Kur flasim për kancerin e gjirit, koha merr një peshë tjetër dhe ne kemi përgjegjësi që gratë të mos e humbin atë duke pritur apo duke u përballur me pengesa që mund dhe duhet t’ua lehtësojmë.

Prandaj sot u bëra thirrje grave ta bëjnë kontrollin me kohë dhe t’ia kujtojnë këtë edhe vajzës, nënës, motrës, shoqes e koleges, sepse në këtë garë nuk ka rëndësi kush mbërrin e para. Rëndësi ka që asnjë grua të mos mbërrijë vonë.