Lajme

Albulena Haxhiu në fjalimin e parë si kryetare e Kuvendit përmend gjykimin në Hagë: Presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë

02/11/2026 18:26
nga:Sh R

Albulena Haxhiu ka mbajtur fjalimin e saj të parë në cilësinë e kryetares së Kuvendit të Kosovës, duke u zotuar se do të punojë në shërbim të Republikës me ndershmëri dhe vizion.

Në adresimin e saj para deputetëve, ajo theksoi se Kuvendi do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe do të funksionojë me dinjitet, transparencë dhe në përputhje me Kushtetutën.

Haxhiu në fjalimin e saj përmendi edhe luftën e UÇK-së, si dhe procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të saj.

“Sot vijmë këtu pas një dite në të cilën u mbajt seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Historia e popullit të Kosovës është e qartë dhe e drejtë. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për çlirim. Dihet kush ka qenë agresori dhe kush ka kryer krime në vendin tonë. Ato krime janë kryer nga Serbia, e cila nuk është përballur seriozisht me drejtësinë. Presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë pranë familjeve të tyre dhe që ky proces të përfundojë sa më shpejt. Për këtë duhet të jemi bashkë”, tha ajo.

Kryetarja e re e Kuvendit theksoi se institucioni që ajo drejton është shtëpia politike e të gjithë qytetarëve, duke shtuar se shteti u shërben të gjithëve pa dallim.