Lajme

Albulena Haxhiu: Do ta provojmë Vettingun përmes ndryshimeve Kushtetuese, nëse s’mundemi kalojmë në planin B

09/16/2021 00:20
nga:Gazeta Blic

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë në emisionin dPt te Fidani në T7 se janë dy alternativa të kalimit të Ligjit për Vettingun. Fillimisht, ajo ka thënë se do të provojnë ndryshimet kushtetuese të cilat duhet të kalojnë përmes Kuvendit.

E nëse nuk funksionon kjo, Haxhiu thotë se do të provojnë “Planin B” e ajo do të jetë me ndryshime ligjore.

Ajo tha se fillimisht do të provojnë që ligji të kalojë në Kuvend dhe pret mbështetje nga partitë shqiptare të cilat do t’i takojë.

“Proceset në të cilat kemi punuar shumë është lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Projekt ligji pritet të dërgohet shumë shpejt në qeveri dhe Kuvend. Kemi dalur me dy propozime. Njëra është me ndryshime kushtetuese dhe tjetra me ndryshime të amendamenteve ligjore. Do të ishte shumë më funksional që ky ligj të bëhet me ndryshime kushtetuese. Duke pasur parasysh që kjo mund të mos mbështetet nga partitë në Kuvend, madje partitë shqiptare në Kuvend kanë pasur premtime për këtë çështje. Andaj presim mbështetje që kjo të kalojë në Kuvend”, thotë ajo.

Ajo tutje shton se nëse nuk marrin përkrahje, do të kalojnë në Planin B që është ai i ndryshimeve ligjore.

“Sapo të dërgoj koncept dokumentin në Qeveri do të kem takime me përfaqësues të partive politike. Nuk besoj se do ta kundërshtojnë, po ju them edhe njëherë. Kur të përfundojmë të gjithë procesin, Ministria e Drejtësisë nuk do të ketë në dorë asgjë. Do të jetë Presidenca dhe Qeveria që do të formojnë agjencitë dhe do të dërgojnë përpara këtë çështje. Uroj që të kalojnë. Nëse jo, nuk do të doja të flisja për këtë alternativë, kjo do të jetë më sfiduese po me grupet e personave përgjegjës brenda ministrisë. Kemi gjetur edhe një alternativë që vettingu mund të bëhet edhe me ndryshime ligjore. Ky është plani B. Nëse dështon kalimi në Kuvend, menjëherë fillojmë punën për ndryshime ligjore”, shtoi ajo.