Sporti

Albion Rrahmani i motivuar para ndeshjes ndaj Rumanisë: Bashkë mund të arrijmë gjëra të mëdha

09/03/2024 15:12
nga:Mergim Rreci

Kombëtarja e Kosovës sot e ka mbajtur seancën e radhës stërvitore në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve.

Sulmuesi i “Dardanëve”, Albion Rrahmani, ka thënë se atmosfera në grupin e lojtarëve është jashtëzakonisht e mirë dhe se të gjithë po punojnë mirë bashkë.

“Jemi të fokusuar 100 për qind për ndeshjen e parë hapëse të këtyre grupeve dhe jemi të gatshëm ta bëjmë 100 për qindëshin dhe t’i marrim tri pikët e para në këtë grup të ri”.

“Po shpresoj që së pari të më jepet mundësia dhe pastaj do të bëjë maksimumin që ta tregoj veten. Jam në një moment shumë të mirë dhe shpresoj ta kem atë moment edhe në kombëtaren tonë”, tha Rrahmani.

Tutje, Rrahmani tha se shpreson që mos ndalet duke shënuar gola, ashtu siç ka bërë me Sparta Praguen, teksa shtoi se i gjithë ekipi pret përkrahjen e tifozëve.

“I presim të gjithë që të na përkrahin, pasi bashkë mund të arrijmë gjëra të mëdha, ju në tribuna dhe ne ta bëjmë punën tonë në fushë”, tha ai.

Të premten me fillim nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”, Kosova do ta pres Rumaninë në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve.